
Kryetari i PD, Lulzim Basha, vizitoi disa familje në Lezhë që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike dhe kanë mbetur në mëshirë të fatit, pa asnjë të ardhur. Rasti i Ardian Danit, është ai i babait që, pas vdekjes së bashkëshortes, rrit i vetëm 3 fëmijë të mitur.
“E kam bërë mbrëmë një copë byrek, rafti ja ku është bosh. Tek Kryqi i Kuq kam dhënë gjak. Për çfarë? Vetëm për të mbajtur fëmijët me një pako makarona. Frigoriferi nuk punon. Urdhëro. (Frigoriferi bosh) Gjak trupi po jap, vetëm me rrit tre jetimë”.
Po kështu edhe Agenta Bacaj, kryefamiljare, nënë e tre fëmijëve, e zhytur në dëshpërim pas heqjes së ndihmës ekonomike, thotë se jeton në kushte të mjerushme, pa asnjë ndihmë ekonomike.
Në këtë situatë, kryedemokrati u premtoi se do të kërkojë nga Parlamenti që kjo situatë të marrë fund.
"Ne kemi ardhur për të qarë hallin me ju dhe për të ngritur zërin për ju. Se opozita vetëm fjalën ka. Do ta ngremë zërin për ju. Do të tregojmë të vërtetën tuaj jo gënjeshtrat që ju thotë Edi Rama. Do t’i themi se u ke hequr bukën njerëzve më të pamundur, më në nevojë dhe të luftojmë t’ju kthejmë ndihmën ekonomike.”
Për çështjen e varfërisë, në datën 15 mars opozita ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama, i cili nuk ka prioritet uljen e varfërisë në vend.



