Politologu Ilir Kalemaj thotë se mazhoranca është jashtëzakonisht arrogante dhe i ka mbyllur çdo lloj mikrofoni opozitës, i ka hequr çdo lloj mjeti parlamentar dhe sipas tij është legjitime protesta e opozitës dhe është e pafalshme prania e forcave të policisë.
Akti më i madh që ka bërë opozita, ka djegur disa karrige. Ti duhet të mbjellësh frymë, opozita është frymë, nuk është vetëm muskuj.
Opozita duhet t’i japë shpresë këtij vendi, që në këtë vend ia vlen të jetohet.
Opozita duhet të mbjellë shpresë dhe jo disfatizëm, ne presim të dëgjojmë më shumë se çfarë propozon opozita, jo thjesht duhet të kërkojë qeveri teknike, duhet të dijë se çfarë të bëjë se qeveri kujdestare mori dhe në 2017 dhe mori rezultatin më të ulët të të gjitha viteve.
Duke folur për MCN Live, Kalemaj u shpreh se opozita duhet t’iu mbushë mendjen njerëzve se kemi të bëjmë me një autokraci dhe regjim që përdor çdo lloj forme dhe propagande, deri te heqja e fjalës dhe aksioni politik dhe duke bllokuar çdo protestues në këtë vend, dhe duke u dhënë dy mundësi ose të ikin nga ky vend, ose të bëhen palë me pushtetin.
Sipas tij, opozita duhet të paraqesë programin politik dhe të ndezë motorët e fushatës dhe se detyra e saj është të nxjerrë një program të unifikuar dhe të dalë me një ekip të ri frymëzues, me personalitete që nuk janë të konsumuar dhe vetëm kjo mund të jepte shpresë dhe frymëzim.
Kalemaj tha se në këtë mënyrë do të tërheqin dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, apo edhe ndërkombëtarët me protestat e planifikuara në Strasburg, Bruksel dhe më gjerë.



