Nënkryetari i shoqatës së biznesit të vogël Bujar Muço deklaroi në “Mcn Economy” se ky sektor e ka të vështirë mbijetesën, ndërsa shtoi se nuk mund të ketë rritje të pagave pa rritje ekonomike.
Muço tha se qeveria ka bërë hile me pagën minimale, dhe sipas tij qëllimi ka qenë akumulimi i sigurimeve shoqërore.
Pagë minimale ka mundësi të paguajë biznesi i vogël sot sepse gjendja është ku thërret qameti. Para 7 vitesh kanë qenë 196 mijë biznese. Kanë falimentuar mbi 75 mijë-85 mijë biznese. Është një hile e madhe që qeveria ka bërë me niptet e fermerëve duke i futur në statistika sikur janë biznese të reja. I gjithë populli i di sa mijëra biznese janë mbyllur dhe sa janë hapur. Biznesit i është hequr një takse 25 mijë lekë të reja, por sa taksa të tjera janë futur në mënyrë indirekte. Se si i keni futur këto taksa ju i dini. Paga minimale duhet të rritet nëpërmjet rritjes ekonomike. Nëse unë kam rritje ekonomike, unë e rris pagën. Duke u rritur pragu i pagës rriten kontributet shoqërore. Është një hile për të rritur kontributet shoqërore. E ka ngritur këtë prag vetëm për të akumuluar për sigurimet shoqërore. Ne mezi po mbijetojmë në këtë situatë ekonomike. Taksat mbi automjetet vazhdojnë po ato që kanë qenë dhe janë vendosur disa taksa shtesë mbi karburantin. Ne nuk duam të jemi informal, por me sakrifica të mëdha. Ka rënë fuqia blerëse, do të thotë ndrydhje e normës së fitimit për bizneset e vogla. Ne mezi po mbijetojmë. Shumica që janë larguar nga Shqipëria janë larguar nga falimentimi i këtyre bizneseve”.



