
Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i ri Kuvendit të Kosovës. Deputeti që vjen nga radhët e Vetëvendosjes ka marrë 75 vota të deputetëve të rinj të Kuvendit.
Përveç partisë së tij, pro Konjufcës kanë votuar edhe deputetët e LDK-së, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja e kanë kundërshtuar atë.
Me 104 vota për, 1 kundër, tre abstenime u zgjodhën nënkryetarët e Kuvendit Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa me 92 vota për, 2 kundër, 2 abstenime Sllavko Simiç nga Lista Serbe, dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakice janë zgjedhur gjithashtu nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës nisi sot legjislaturën e shtatë.
Që pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nga të cilat Vetëvendosja dhe LDK-ja dolën si partitë me numrin më të madh të votave, Kosova nuk ka ende një qeveri.
Kjo pasi VV dhe LDK ende nuk ia kanë dalë të nënshkruajnë një marrëveshje koalicioni.



