
Vetëm 3 kilometra nga aeroporti, afër Tiranës, banorët e fshatit Bilaj thonë se jetojnë si në harresë, pa gjërat më jetike. “Prej 34 vitesh vuajmë për rrugë”, thotë një banor, ndërsa të tjerë shtojnë: “Nuk kemi gjërat bazike: rrugë, ujë, drita.”
Rruga 1.4 km që lidh 7 fshatra është kthyer në simbol braktisjeje. “Më shpejt del në këmbë sesa me makinë”, shprehen banorët. “Po të kesh urgjencë, rrezikon të vdesë i sëmuri në rrugë.” Gropat mbushen me çakull nga vetë banorët, por “me shiun e parë hapen sërish”. Ata thonë se kanë investuar më shumë se shteti: “Sa lekë kemi hedhur për rrugën, e kishim bërë një shtëpi.”
Ndërkohë, uji i fshatit shkon në Durrës, por në Bilaj blihet me bidona. “Kam harxhuar 3 milionë lekë për pusin, nuk pihet uji.” Edhe energjia elektrike mbetet problem: “Pa drita rrimë 2–3 ditë.”
Nga ana tjetër bujqësia në fshat po shuhet. “Prodhimin nuk kemi ku e shesim.” “Çmimi i misrit ka rënë 280–300 lekë/kg, e shesim nën kosto.” “Dikur çdo shtëpi kishte lopë, sot më shumë se gjysma i kanë hequr.” Të rinjtë po largohen: “Çunat na kanë ikur krejt.” “Shqiptarët këtu ikin se po u bëhet jeta ferr.”
“Na marrin votën dhe na harrojnë”, thonë banorët. Dhe mes baltës, mungesës së ujit e dritave, një fjali përsëritet si thirrje: “Inshallah na dëgjon kryeministri, se me Artur Rroshin jemi të zhgënjyer.”



