Bisedoi, Reldar Dedaj
Italia ka shënuar 793 viktima vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Një masakrim i tmerrshëm, krejtësisht “i qetë”, që e ka nënshtruar vendin.
Për të kuptuar se çfarë po ndodh atje, TVT.al ka intervistuar Simona Zecchi, e cila jeton dhe punon mes Romës dhe Lionit, gazetare e EuroNews italia dhe autore e librave investigativ mbi vrasjen e dy prej intelektualëve më të njohur italian të shekullit XX, Pier Paolo Pasolini dhe Aldo Moro.
Ajo nënvizon se Italia e gjitha, duke përfshirë edhe Qeverinë, tek e fundit, si të gjitha vendet europiane dhe jo europiane fillimisht e nënvlerësoi rëndësinë e epidemisë, por për të gjithë këto vende kjo ka qenë një ngjarje dërrmuese, me situata që ndryshojnë herë pas here.
Zecchi, ndër të tjera tregon se lajmet po vijnë edhe për mjekët që po japin jetën në vlugun e punës, për të ndihmuar të sëmurët, për të shpëtuar jetën e të sëmurëve. Ata sakrifikohen. Martirizohen. Bien në krye të detyrës, pa e pasur familjen pranë.
Nga një masakër në ditë!
Shumë shtëpi pleqsh shemben, mbyllen, ata tashmë kanë vdekur. Të afërmve iu ndalohet përshëndetja me ata që e lënë këtë botë. Shkojnë në tjetrën botë, pa iu qëndruar dikush te koka. Pa dashurinë e të afërmve, pa lutjet te koka të klerikëve. Infermieret, të tmerruara nga sytë e vdekjes, vigjilojnë...
Itali, gjithandej e këndej nëpër Europë: askush nuk është i qetë.
Ditët e vështira nuk e kursejnë askënd.
Prandaj, edhe britma është e atyre që po iu shuhen jetët. Është e mbarë njerëzimit.
Ekziston edhe Dora e Hyjit, drejt të cilës njerëzit e pashpresë kërkojnë shpëtim...
E, njerëzimit kurrë nuk i ka vdekur shpresa.
Nuk i vdes shpresa as Italisë.

Italia është e gjunjëzuar nga pandemia e Covid 19, ju lutem mund të na shpjegoni çfarë po ndodh atje?
Të dhënat ndryshojnë dhe përditësohen vazhdimisht, disa herë edhe brenda një dite. Në këtë moment që të përgjigjem (pasdite 21.03. flasim për:
47021 raste gjithsej të prekura nga momenti që epidemia u përhap në Itali; personat e shëruar aktualisht nga ata pozitiv janë 37860, të vdekur 4032 e 5129 janë shëruar.
Nga 37860 që aktualisht janë pozitivë
• 19185 ndodhen në izolim shtëpiak
• 16020 të shtruar me sintoma
• 2655 në terapi intensive
Të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë
Rajoni i Lombardisë është ai aktualisht më i godituri, duke qenë edhe Rajoni epiqendër i përhapjes së virusit. (Mbi 20 000 të prekurit dhe sot nga këta mbi 6000 janë ata që janë shëruar, pra të prekurit aktualë në Lombardi janë 15.420 ). Menjëherë më pas, e ndjek rajoni i Emilia Romagna, e akoma më pas, Veneto. Rajoni që ka pas më pak të prekur ka qenë rajoni i Molises. Shumë, më shumë se çduhet, janë mjekët që kanë dalë pozitiv apo edhe kanë vdekur.
Këshilli i ministrave i qeverisë italiane ka deklaruar gjendjen e emergjencës kombëtare, me 31 janar, pasi me 30 janar Insituti më i Lartë i Shëndetësisë Italiane (ISHI) kishte konfirmuar 2 rastet e para me infeksionin COVID-19 në Itali. Të gjitha këto veprime janë bërë përpara se OBSH me 11 mars me anë të drejtorit Tedros Adhanom Ghebreyesus , përcaktoi zyrtarisht COVID-19 një pandemi globale.
Mbrëmë (20 mars ) Kryeministri Giuseppe Conte deklaroi një shtërngim të rregullave, që gjithsesi ishin të forta, domosdoshmërisht të forta, të cilat nga fillimi i marsit janë ndjekur nga shumë dekrete të vëna për të limituar rrezikun e ngjitjes së sëmundjes sa më shumë të jetë e mundur nga kontaktet sociale ndërmjet njerëzve.
Për momentin, me një farë autonomie nëpërmjet rajoneve, që kanë ligjet e tyre të limituara nga disa çështje, në të gjithë territorin italian nuk mund të dilet pa një justifikim, nëse nuk është e nevojshme. Mes këtyre nevojave, është të bësh blerje në supermarkete (dhe në dyqane që shesin artikuj për shtëpinë), blerje në farmaci, apo vajtja në punë, aty ky nuk është e mundur të punosh nga shtëpia. Për të tjerat, për momentin qeveria rekomandon firmat të përdorin mjete si asistencë sociale, leje apo leje për pushime. Parqet dhe vendet e hapura publike, tashmë janë të mbyllura dhe nuk mund të ecet nëse nuk je vetëm apo nuk respekton distancat të paktën 1 metër nëse ndeshesh me dikë.
Ku gaboi Italia?
Italia e gjitha, duke përfshirë dhe qeverinë, tek e fundit si të gjitha vendet europiane dhe jo europiane fillimisht e nënvlerësoi rëndësinë e epidemisë, por për të gjithë ka qenë një ngjarje dërrmuese, me situata që ndryshojnë nga hera në herë. Vetë ekspertët epidemiologjikë, virologët, biologët e mjekët janë shprehur ndryshe nga njëri-tjetri. Edhe kjo ka sjellë ngatërrim. Por qeveria Italiane, përveç të metave të mëdha, nga pikëpamja e komunikimit, mori më pas situatën në dorë në mënyrë të qëndrueshme dhe energjike, duke u detyruar të marrë vendime jo-popullore nga pikëpamja e sigurisë publike dhe kufizimit të lirisë. Tani mënyra e të vepruarit italian u bë modeli, shembulli, për qeveri të tjera europiane dhe jo europiane.
A ka frikë apo panik tek qytetarët italian?
Po. Ndjehet një ankth i madh. Përceptimi i të jetuarit në një qëndrueshmëri të vogël, frika për punën apo projektet e bllokuara. Frika për të mos lëvizur më lirshëm. Ka një frikë të madhe për efektin që gjithë ky bllokim i madh do të ketë dhe pjesërisht ka në të gjithë ekonominë italiane.
![]()

Ju jeni një gazetare dhe shkrimtare, a mund të na thoni se çfarë kuptimi ka kjo gjendje për ju personalisht?
Për mua ka pasur një ndryshim të rëndësishëm: deri në janar udhëtoja për punë jashtë shtetit (Francë) për Euro News, që është televizioni që unë bashkëpunoj më shumë si e pavarur dhe ka pasur një ndalim objektiv ekonomik nga kjo pikëpamje për shkak të koronavirusit. Nga shkurti në fakt nuk është më e mundur të spostohesh edhe të punosh nga Italia, duke qenë kryesisht një punë në televizion bëhet akoma më e veshtirë. Kolegët që akoma punojnë në Lion po përmbushin me përpjekje të mëdha mbulimin e asaj se çfarë po ndodh. Si shumë gazetarë të tjerë. Në Itali, Agjencia Kombëtare më e madhe e shtypit (ANSA), ka mbyllur për shembull shumë redaksi lokale. Sigurisht, kam projekte të tjera me të cilët po punoj në Itali dhe që akoma s’i kam përfunduar. Tani, po shkruaj librin tim të tretë investigativ, për të cilin po punoj prej kohësh. Ekziston një problem nga pikëpamja psikologjike, është fakti se ti nuk mund të lëvizësh lirshëm. Të punosh dhe të jetosh i lirë është kuptimi i jetës. Mund të them se tani po jetohet në një lloj shtetërrethimi.
Çfarë nënkupton kjo krizë e krijuar nga ky virus për të ardhmen e Italisë?
Do të thotë që firma të mëdha e të vogla do shohin të bllokuara prodhimet, shpërndarjen dhe fitimet. Do të thotë edhe shumë humbje për botën e industritve të ndërlidhura kulturore dhe editoriale, me librari të mbyllura dhe shtypëshkronja që nuk mund të dorëzojnë, sipas rregullave të tanishme të emergjencës, një shërbim thelbësor, nuk shtypin më. Por edhe shumë ngjarje kulturore janë bllokuar: Teatri, prezantimet, kinemaja dhe kush punon në sektorin privat të komunikimit, zyra shtypi, por edhe si një punonjëse e pavarur shikon të bllokuar pothuajse çdo mundësi. Qeveria Italiane ka nisur dekretin “Kuro Italinë” që në një pjesë të mirë duhet të mbështesë edhe punëtorët autonomë. Të shohim.
Në këtë situatë të krijuar ku po punoni: në zyrë apo në shtëpi?
Po punoj nga shtëpia përsa i përket projekteve të mia italiane.
Mendon se njerëzit e kanë kuptuar rrezikun e këtij virusi kur i sheh ende nëpër rrugë?
Pjesa më e madhe e italianëve e kanë kuptuar (jemi 60 milionë). Fatkeqësisht, ka nga ata që nuk i dorëzohen rrezikshmërisë së virusit. Por është edhe një situatë paradoksale ku në të cilën shumë bëhen gjykatësit e të tjerëve, zëvendësojnë gati policinë, denoncojnë duke postuar video e fotografi, gjë që personalisht e shikoj të rrezikshme si prirje.
Për çështje të tjera të ndryshme dhe të rrezikshme ( si mafia) gjithë këtë kurajë si qytetarë model rallë e kanë treguar. Unë personalisht s'e kam parë. Dhe mafia përsa e njohim ne është një sëmundje ngjitëse dhe aktive në Itali e jashtë saj, kryesisht duke filluar nga vitet 70 në mënyrë të konsiderueshme. Por janë situata, që në lidhje me të gjithë popullatën italiane, fatmirësisht nuk përfaqësojnë shumicën.

Në këtë pikë që ndodhet Italia, çfarë mund të bëhet për të dalë nga kjo gjendje?
Nuk jam as mjeke as eksperte, si gazetare që thellohem çdo ditë me faktet për aktualitetin për shkrimet e mia, mund të bëj vetëm një sintezë të asaj që deri tani autoritetet na kërkojnë të bëjmë: Të përpiqemi të dalim sa më pak të jetë e mundur dhe të ndjekim rregullat e caktuara me qëllimin për të mos infektuar persona të tjerë dhe, kështu nuk bllokojmë spitalet.
Qeveria bashkë me mbrojtjen civile sapo kanë nxjerrë një lajmërin për 300 mjekë të rinj vullnetarë që mund të dërgohen në rajonet që ka më shumë nevojë. Një njoftim ky që përfundon sonte.
Në të njëjtën kohë secili nga ne duhet të qëndrojë vigjilent dhe të përpiqet të bëjë kritikë kostruktive, por gjithmonë të pavarur. Për shembull, ajo që po ndodh përreth nesh për sa i përket spekulimeve financiare dhe kjo një praktikë e politikës së informimit të vendeve si SHBA, Kina apo Rusia, na kërkon që ne duhet të thellohemi më tej. Këto janë ca gjëra me të cila po vazhdoj të merrem akoma në Euro News.
Nuk është vetëm ana shëndetësore, si diçka parësore për t’u monitoruar. Kohët e fundit për shembull, pikërisht shërbimet amerikane, kanë tentuar të na bëjnë të besojmë se qeveria italiane ishte vënë në dijeni për shpërthimin e virusit në vend, por nuk kishte bërë asgjë.
Ndërkohë, lajmi i fundit i publikuar nga Washington Post tregon se një lëvizje e tillë (dezinformimi) ishte aplikuar me idenë për të krijuar një të vërtetë tjetër në lidhje me vendimet e vonuara të marra nga presidenti Trump. Të japësh një informacion të rremë për Italinë në një moment të tillë si ky është një praktikë e pamëshirshme./TVT.al/



