
Autoritetet e Hong Kongut kanë marrë masa të rrepta sigurie përreth aeroportit pasi protestuesit kanë planifikuar t’i bllokojnë fluturimet dhe transportin. Këto masa u morën pas dhunës së të premtes, kur policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, shkruan “The Guardian”.
Masat e forcave të sigurisë erdhën pasi protestuesit kundër qeverisë po synojnë ta marrin vëmendjen botërore në krizën politike të rajonit gjysmautonom kinez. Protestat kanë hyrë në javën e trembëdhjetë.
Gjatë kësaj jave, kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, e tërhoqi projektligjin kundërthënës për ekstradim, i cili e kishte nxitur fillimin e protestave në qershor. Sidoqoftë, protestuesit mbetën të zemëruar për shkak të përdorimit të forcës nga policia dhe u zotuan se do t’i vazhdojnë protestat.
Të shtunën, policët e pajisur me helmeta dhe mbrojtëse i patrulluan zonat rreth dhe brenda aeroportit dhe po i ruajnë hyrjet kryesore të tij. Stafi i aeroportin i ka pranuar brenda vetëm personat që kanë me vete pasaporta dhe bileta udhëtimi.
Dhjetëra policë i kanë kontrolluar edhe autobusët që shkonin në drejtim të aeroportit, duke ua kontrolluar dokumentet dhe valixhet udhëtarëve, për të cilët dyshonin se janë protestues.
Të dielën e kaluar, mijëra protestues e bllokuan trafikun dhe i ndërprenë linjat mes qytetit dhe aeroportit, duke shkaktuar vonesa dhe anulim të fluturimeve.



