Largimi nga detyra i ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, dhe hapja e hetimit nga prokuroria, pasi dyshohet se ministria e Jashtme ka paguar 1 milion euro nga një fond sekret i shtetit grek për mediat në Shqipëri , ish-republikën e Jugosllave si dhe te kishat ortodokse jashtë vendit, kanë qenë ndër temat kryesore të debatit ditët e fundit. Por sa do ndikojë kjo në vendin tonë?
I ftuar në studion e Televizionit Tema, diplomati Shaban Murati shprehet se largimi i ministrit Kotzias nga detyra dhe për pasojë edhe nga bisedimet Shqipëri-Greqi, është pozitiv për vendin tonë.
Po ashtu një tjetër pikë ku Shqipëria është treguar neglizhente është edhe marrëveshja për detin, të cilën zoti Murati e konsideron antikushtetuese sepse një akt i tillë ndalohet me ligj.
Përsa i përket marrëdhënies Shqipëri-Kosovë, lidhur me debatet dhe dialogun me Serbinë, sipas ish-ambasadorit, Tirana zyrtare ka gabuar në qëndrimin e mbajtur.
Ndërsa nxitimin e Kosovës dhe idenë e ndryshimit të kufirit, Murati e shikon si humbje diplomatike nga ana e Kosovës.
Gjithashtu, sipas Muratit, shteti duhet të tregohet i kujdesshëm në ruajtjen e partnerëve dhe sidomos me Turqinë, pasi siç u shpreh ai ekziston një konfuzion, duke marrë shkas nga deklarata e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavushogllu, i cili u shpreh se FETO ndodhet në institucionet shqiptare.



