
Shtëpia e Bardhë është angazhuar në një fushatë që ka për qëllim të bindë opinionin amerikan se sistemi aktual i emigacionit nuk është ai i duhuri. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, synimi i fushatës është zhvendosja drejt një sistemi emigracioni të bazuar tek merita.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se ndryshimet duhen ndërmarrë menjëherë. Por, kjo përpjekje e tyre bëhet në një klimë të vështirë politike, pasi edhe vetë republikanët ngurrojnë të angazhohen në një debat madhor për emigracionin përpara zgjedhjeve të 2018-s.
Çështja pritet të radhitet ndër pikat kryesore të fjalimit për gjendjen e kombit që Presidenti Donald Trump do të mbajë në Kongres më 30 janar.
Shtëpia e Bardhë po planifikon edhe deklarata të tjera të Presidentit, të zyrtarëve të lartë të kabinetit qeveritar, si dhe një fushatë nëpërmjet mediave konservatore.
Administrata e filloi fushatën e saj ditën e enjte nëpërmjet një blogu që nënvizon disa shifra kryesore, si: të dhëna të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që tregojnë se gati 9.3 milionë nga rreth 13 milionë emigrantë të ardhur në SHBA në periudhën 2005 – 2016 janë tërhequr nga familjarët e tyre të vendosur në SHBA. Ndërsa vetëm 1 në 15 emigrantë u pranua në vend gjatë dekadës së fundit nëpërmjet kartave jeshile, bazuar mbi aftësitë e tyre.
Të dhëna të tjera që do të përdoren në funksion të kësaj fushate përfshijnë një raport ku theksohet numri i emigrantëve në burgjet amerikane, një shqyrtim i mbingarkesës dhe vonesave në gjykata të dosjeve për azilkërkuesit, si dhe një studim që administrata thotë se provon lidhjet ndërmjet emigracionit dhe terrorizmit.
Propozimi për të braktisur sistemin e emigracionit të bazuar te familja do të ishte ndryshimi më radikal i sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara gjatë 30 viteve të fundit.
Sistemi i ri që do ta zëvendësonte, do të bazohej te një skemë pikësh për arsimimin dhe potencialin e punësimit.
Sipas VOA, një anketim i Universitetit Quinnipac, i zhvilluar në muajin gusht, tregoi se 48% e votuesve i kundërshtojnë propozimet e Presidentit Trump për të përgjysmuar numrin e emigrantëve të ligjshëm dhe për t’u dhënë prioritet emigrantëve bazuar tek aftësitë profesionale dhe jo më lidhjet e tyre familjare me SHBA-në. 44% e të anketuarve, ndër ta 68% e republikanëve, e mbështesin këtë ide të Presidentit.
Shtëpia e Bardhë shpreson që Kongresi të fillojë trajtimin e kësaj çështjeje në fillimin e vitit të ardhshëm.



