
NATO ka dëbuar shtatë diplomatë nga misioni i Rusisë në aleancë gjatë sulmit të agjentëve nervor në Britani këtë muaj, tha ditën e sotme sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, raporton Reuters.
Duke folur në Bruksel, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ky është vetëm një nga hapat e parë për t’i dhënë një mesazh të qartë Rusisë për veprimet e saj të rrezikshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO deklaroi gjithashtu zvogëlimin e misionit diplomatik të Rusisë në NATO me 10 persona.
“Kjo është një përgjigje e koordinuar kundër sulmit në Sailsbury dhe NATO do të jetë e gatshme të ndërmarrë edhe hapa të tjerë. NATO ka zvogëluar numrin e stafit të misionit të Rusisë në NATO me 10 persona. Ky është një mesazh i qartë për Rusinë dhe veprimet e saj të rrezikshme”, deklaroi Stoltenberg.
Stoltenberg tha se tre diplomatë rusë që kërkojnë të vijnë në Bruksel u është mohuar akreditimi, duke zvogëluar stafin në 10.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, NATO kërkoi lidhje më të ngushta me Rusinë dhe përfshiu personelin rus në fushatën e saj në Ballkan në vitet 1990.
Por që nga Krimea, NATO ka pezulluar të gjithë bashkëpunimin praktik ushtarak dhe civil me Rusinë, ndonëse mban dialogun politik dhe është përpjekur të rifillojë kanalet ushtarake të komunikimit, kryesisht për të diskutuar krizën në Ukrainë.
Qeveritë në të gjithë Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë njoftuan planet për të dëbuar më shumë se 100 diplomatë rusë në hakmarrje për sulmin.
Të gjithë besojnë se Rusia ishte pas helmimit të dy personave në Salisbury të Britanisë së Madhe.
Ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij, Julia, u helmuan më 4 mars në Salisbury, në Anglin jugore, ndrsa hetuesit besonin se një agjent nervor ushtarak ishte përdorur.
Por Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza duke mohuar kategorikishtë çdo përfshirje në të.
Më parë, Rusia akuzoi SHBA se ka ushtruar presion ndaj vendeve të tjera për t'u bashkuar me dëbimin masiv të diplomatëve të saj.
Sipas BBC, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov akuzoi Uashingtonin për "shantazh kolosal" dhe tha se kishin mbetur "pak vende të pavarura" në Evropën moderne.



