Portugalia dhe një pjesë e Spanjës janë prekur nga zjarret masive ditët e fundit, ku në total, 30 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë pësuar djegie. Situata më e rënduar paraqitet në pjesën veri-lindore të Portugalisë ku janë regjistruar 27 viktima.
Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi portugez i Mbrojtes Civile, ku raportohet se mijëra qytetarë janë detyruar të zhvendosen nga banesat e tyre. Aktualisht, forcat e shumta zjarrëfikse janë duke u përballur me 145 vatra të ndryshme në distriktet e Koimbras, Kastelos, Brankos, Viseos dhe Guardas.
Ekspertët janë shprehur se përhapja me shpejtësi e flakëve ka ardhur si rrjedhojë e një sezoni vere të thatë dhe të nxehtë. Gjithashtu, kushtet e tij janë përkëquar nga efektet e Uraganit Ofelia, i cili poi afrohet brigjeve Perëndimore të Europës.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur edhe hetimet për të parë se cilat mund të kenë qënë shkaktarët e nisjes së vatrave. Hetuesit janë duke shqyrtuar edhe mundësinë e zjarrvënieve të qëllimshme.
Dëme të shumta ka patur edhe në anën spanjolle të kufirit, ndërsa pritet që zona të vizitohet nga Kryeministri, Mariano Rajoi.
Kjo është hera e dytë që Gadishilli Iberik preket nga zjarret brenda pak muajve. Në Qershor, një zjarr masiv i rënë në Portugali u mori jetën 64 personave, ndërsa të plagosur mbetën 130 të tjerë.
Ndërsa uragani “Ophelia” goditi Irlandën dhe ishujt Britanik. Deri tani mediat lokale raportojnë se si pasojë e uraganit të fuqishëm janë rrëzuar pemë dhe janë krijuar dallgë të fuqishme deri në 10 metra lartësi. Gjithashtu raportohet se mijëra persona kanë mbetur pa energji në Irlandën jugore.
Fluturimet janë ndaluar dhe autoritet kanë paralajmëruar se qytetarët mund të jenë në rrezik për jetën.
“Ophelia” është uragani i dytë i fuqishëm pas atij të “ Stuhisë së Madhe” të vitit 1987, nga i cili humbën jetën 18 njerëz.
Kujtojmë se Irlanda mbylli shkollat dhe rreth 130 fluturime në aeroportin e Dublinit u anuluan.
Meteorologët mbeten "shumë të shqetësuar" dhe po e monitorojnë situatën nga afër.
Pas Irlandës dhe Britanisë trajektorja e lëvizjes së uraganit parashikohet të jetë në verilindje të Europës.



