
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai në një lidhje skype me MCN Live ka komentuar lidhur me operacionin “Fijet” i shtrirë në disa qytete të vendit për heqjen e kamerave.
Ai tha se pastrimi i kamerave është pjesë e planit strategjik të policisë, ndërsa theksoi se deri tani janë hequr 485 kamera, ndërsa ka nisur një hetim i thelluar për 88 persona.
Sipas tij, kamerat i përkasin personave me rekorde kriminale të cilët i kanë përdorur edhe për të monitoruar lëvizjet e policisë.
Së pari dua të sqaroj se operacioni nuk ka marrë spunto nga ndonjë ngjarje kriminale, por ka ardhur pas një analize të mirëfilltë hetimore. Ky operacion është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, ka nisur në 15 janar, në të njëjtën kohë në të gjithë territorin. 485 kamera janë hequr deri tani dhe ka nisur hetimi i thelluar për 88 shtetas. Numri më i madh i kamerave është në Tiranë, Shkodër Korçë, Vlorë e me radhë.
I pyetur se kujt i përkasin këto kamera, Mullai tha se një pjesë e mirë e tyre i takojnë personave me precedentë kriminal, por ka dhe persona që nga mosdija kanë monitoruar pa vetëdije territorin.
Kryesisht janë kamera të vendosura nga persona me precedentë kriminal. Çështja është në hetim dhe s’mund të bëj publik emrat, por ne jemi në një aksion të përditshëm. Ky operacion do të çohet deri në fund sepse strukturat e rendit dhe sigurisë publike, pas heqjes së kamerave do vijojnë me kontrollin e subjekteve. Kjo në bazë të hartimit të një strategjie të re në luftën kundër krimit e cila nxori në pah ligjin për masat shtesë të sigurisë sepse nisur nga keqinterpretimi ligjit, ka shumë qytetarë që kanë vendosur kamera pa kriter.
Më tej ai shtoi se ky operacion ka gjetur përkrahjen e masës së gjerë të qytetarëve, ndërsa theksoi se një nga arsyet e vendosjes së kamerave ka qenë që grupet kriminale të marrin informacione për lëvizjet e policisë.
Grupet kriminale kanë monitoruar lëvizjet e policisë. Pasi të mbaroj faza e parë me heqjen e kamerave do vijohet me verifikimin dhe kontrollin e kamerave që janë vendosur me apo jo në përputhje me ligjin.



