
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, do të vizitojnë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.
Ata do të vizitojnë fillimisht Maqedoninë, pastaj Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe ndalesa e fundit e tyre do të jetë në Bullgari. Ky turne, që nisë nga 25 shkurti dhe përfundon më 1 mars, bëhet për të prezantuar strategjinë e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në Kosovë, ata pritet të ndalen më 28 shkurt. Kjo vizitë e diplomatëve evropianë vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës po bën përpjekje që të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e cila ishte nënshkruar në Vjenë në vitin 2015.



