Vëllai i Talos Çelës, të shumëkërkuarit nga policia, ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri mëngjesin e kësaj të enjteje.
Viktima është Bujar Çela i datëlindjes 19 Mars 1958. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:45 në fshatin Bradashesh të Elbasanit përpara një lokali. Burimet policore thanë se 62-vjeçari Bujar Çela punonte si taksist pa licencë.
Nga informacionet paraprake, bëhet me dije se Çela u qëllua me armë sapo zbriti nga makina për t'u ulur në një lokal. Dyshohet se ai ishte ndjekur nga atentatorët, të cilët besohet të kenë qenë të paktën 2 persona.

GJENDET MAKINA E AUTORËVE TË DYSHUAR TË VRASJES SË BUJAR ÇELËS
Pas atentatit ndaj 62-vjeçarit Bujar Çela, autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Disa minuta më vonë, në fshatin Murrash u gjet e djegur një makinë që dyshohet se u përket atentatorëve. Makina është tip Renault me targa AA 876 DC.

INFORMACIONI PARAPRAK I POLICISË SË ELBASANIT:
Rreth orës 05:45 , në fshatin Bradashesh, Elbasan, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri para një lokali shtetasi B.Ç., rreth 50 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes , identifikimin e kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të qytetit të Elbasanit, pika kontrolli në akset rrugore nacionale në bashkëpunim me DVP Durrës, Fier e Tiranë. Në ndihmë të shërbimeve të DVP Elbasan kanë ardhur dhe FNSH dhe RENEA dhe vijon krehja e zonës.
BUJAR ÇELA ËSHTË VËLLAI I TALO ÇELËS, TË SHUMËKËRKUARIT NGA POLICIA
Bujar Çela është vëllai i Talos Çelës, njeriut më të kërkuar për momentin nga policia, për kapjen e të cilit është vendosur edhe një shpërblim prej 10 milionë Lekë të vjetra. Ai është në kërkim si një nga anëtarët e bandës së supergrabitjeve të parave në aeroportin e Rinasit, si dhe i akuzuar gjithashtu për disa vrasje.



