
Kryeministri britanik Keir Starmer zbuloi planin me 4 hapa për të garantuar paqen në Ukrainë, pas një samiti me liderët evropianë në Londër.
Ai deklaroi se Evropa duhet të mbajë një barrë më të rëndë, por mbështetje nga SHBA-ja është e nevojshme, dhe thotë se Britania e Madhe, Franca dhe të tjerët kanë rënë dakord të punojnë me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës.
Starmer thotë se në samitin e sotëm, liderët ranë dakord të takohen përsëri së shpejti në mënyrë që të "mbajnë ritmin pas këtyre veprimeve" dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një plani të përbashkët. "Ne jemi në një udhëkryq historik sot," vuri në dukje ai.
"Ky nuk është një moment për biseda të gjata, por është koha për të vepruar dhe për t’u bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha kryeministri.
"Evropa duhet të mbajë një barrë më të rëndë," tha ai, por shtoi se kontinenti ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve.
Kryeministri thotë se liderët në samit ranë dakord për katër hapa të rëndësishëm:
• Për të mbajtur rrjedhjen e ndihmave ushtarake në Ukrainë ndërkohë që lufta është në vazhdim dhe për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë
• Çdo paqe e qëndrueshme duhet të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, dhe Ukraina duhet të jetë në tryezë për çdo bisedim paqeje
• Në rast të një marrëveshjeje paqeje, udhëheqësit evropianë do të synojnë të pengojnë çdo pushtim të ardhshëm të Rusisë në Ukrainë
• Duhet një koalicion për të mbrojtur Ukrainën dhe për të garantuar paqen në vend



