Banorët e fshatit Pishkash në bashkinë Përrenjas kanë ngritur shqetësimin për mungesën prej dekadash të infrastrukturës rrugore, duke deklaruar se segmenti prej rreth 5 kilometrash nuk ka marrë asnjë investim pavarësisht kalimit të viteve.
Denoncimi është bërë në emisionin “Xhadat”, ku banorët kanë treguar se problematika e rrugës ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme, përfshirë dëmtimin e automjeteve dhe vështirësitë në qarkullim, sidomos gjatë kushteve të këqija atmosferike.
Sipas tyre, zona ka një histori të gjatë shfrytëzimi minerar për krom dhe hekur-nikel, ndërsa investimet në infrastrukturë nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm zhvillimi. Ata pretendojnë se rruga lidh disa fshatra dhe shërben për një komunitet prej qindra banorësh që vijojnë të jetojnë në zonë pavarësisht kushteve.
Banorët janë mbledhur për të kërkuar sqarime nga bashkia dhe kanë tentuar të takojnë drejtues vendorë, përfshirë kryetarin e bashkisë Përrenjas, Nuri Belba, i cili sipas tyre nuk ndodhej në institucion në momentin e vizitës.
Gjatë komunikimeve me përfaqësues të administratës, banorëve u është bërë me dije se për këtë shqetësim duhet të drejtohen te Drejtoria e Shërbimeve Publike, ndërsa është premtuar ndërhyrje e pjesshme me mjete pune për përmirësimin e gjendjes së rrugës.
Në një komunikim telefonik me banorët, drejtori i Shërbimeve Publike ka deklaruar se do të dërgohet fadromë në zonë në ditët në vijim për ndërhyrje emergjente.
Pas disa orësh pritjeje, banorët dhe gazetari i emisionit, Ersid Karaj, kanë depozituar një kërkesë zyrtare me 19 firma për zhvillimin e një takimi me kryetarin e bashkisë. Më pas, në një intervistë për "XHADAT" zhvilluar në ambientet e bashkisë, kryetari Nuri Belba ka bërë të ditur se projekti për rrugën është miratuar nga këshilli bashkiak dhe parashikon një segment prej 5.2 kilometrash.
Sipas tij, punimet pritet të nisin në shtator 2026 dhe të përfundojnë brenda vitit, duke u financuar nga buxheti i bashkisë dhe me mbështetje nga qeveria qendrore. Kryebashkiaku ka theksuar gjithashtu se kërkesat e banorëve janë të drejta dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim institucional deri në nisjen e investimit. Pas takimit, banorët kanë shprehur rezerva për premtimet e dhëna, duke kërkuar më shumë transparencë dhe praninë e drejtpërdrejtë të drejtuesve vendorë në terren.



