Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë Ylljet Aliçka mendon se Emmanuel Macron Macron do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në Francë, ndonëse gara duket e ngushtë. Aliçka theksoi se një fitore e Le Pen-it do ta penalizonte Shqipërinë dhe procesin e integrimit, duke theksuar se Fronti Nacional është më pranë Serbisë dhe Rusisë.
Duke analizuar rezultatet e raundit të parë në Francë, ish-ambasadori thotë:
E reja në krahasim me 2017-ën është që forca e tretë është kandidati i partisë së majtë komuniste, që ka në dorë kujt do t’ia japë votat në raundin e dytë. E dyta është që Le Pen ka rritje në shtresat rurale. Le Pen luan me tezën e Francës së fortë, të pavarur nga BE, ndërsa Macron me tezën e Francës si aktor më i rëndësishëm i BE-së dhe mbështet idenë e globalizmit. Le Pen luan me kartën që po bëhet gjithmonë e më e ndjeshme, luftën kundër të huajve, Franca për francezët dhe rritjen e fuqisë blerëse. Le Pen ka solidaritet nga Zemmour. Mendimi im është që përsëri do fitojë Macron. Natyra e francezëve është shumë skeptikë, kërkues, rrallë një president ka mbyllur dy mandate, populli i revoltës, protestës. Ka pakënaqësira për Macronin, por e keqja më e vogël në opinionin publik mendoj që është. Macron mori pikë me krizën e Ukrainës dhe Covid-in. Ka rritje të azilkërkuesve që shkon në favor të Le Penit, që ka ndikim të madh te votuesit francez. Partia e Le Pen ka masa drastike kundër emigracionit, pjesëmarrjes franceze në organizatat ndërkombëtare, kryesisht BE-së. Ka aleancë me Orbanin dhe me Putinin”.
Pyetjes se kush do të ishte alternativa më e mirë për Shqipërinë, Aliçka iu përgjigj:
S’ka asnjë pikë dyshimi që Macron është shumë favorizues mbi integrimin evropian në raport me Le Penin. Nëse fiton Le Pen Shqipëria duhet t’i harrojë hapjen e kapitullit të negociatave. Me shumë gjasa fitorja e Le Pen-it do ta penalizojë Shqipërinë. Mbaj mend kur hyri Shqipëria në NATO grupi i Le Peni-it ishte ekstremisht agresiv kundër Shqipërisë. Fatmirësisht ndërhynë republikanët që u hap drita jeshile në Asamblenë Kombëtare. Fronti Nacional është afër Serbisë dhe Rusisë, kundër vendeve me shumicë myslimane. E ka të theksuar elementin fetar”.



