Vizita e Reeker në Tiranë dhe takimi i munguar me Metën

Vizita e Reeker në Tiranë dhe takimi i munguar me Metën

Nga Mustafa Nano

Amerikani Philip Reeker, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane, ka bërë një vizitë njëditore në Tiranë, ku ka pasur një seri takimesh. Ai u takua me kryeministrin Rama, dhe ky i fundit, në mënyrë pak të çuditshme, u kujdes që takimi i tij me Reeker-in të mos ishte publik, të mos ishte në sytë e botës. Nuk ekzistojnë pamje fotografike apo pamje filmike. Ai ka pasur një takim edhe me liderin e opozitës Lulzim Basha, takim i cili u shoqërua me praninë e kamerave në selinë e Partisë Demokratike, kamera që e filmuan Reeker-in kur hyri dhe doli prej selisë. Në vijim, ai pati edhe një darkë me anëtarë të kabinetit “Rama”, ku të pranishëm ishin ministrja e Punëve të Jashtme (nuk mund të shmangej, domosdo. Ajo është kryediplomatja e Shqipërisë), ministria e Drejtësisë (edhe këtë ministre nuk mund ta shmangte, sepse amerikanët e kanë me merak të demonstrojnë në vijimësi se ata vet janë të fiksuar pas reformës në drejtësi dhe pas suksesit të kësaj reforme), ministri i Mbrojtjes (ky i fundit duhet të ishte i pranishëm me patjetër, për shkak edhe të përkimit në kohë midis vizitës së Reeker-it dhe përfundimit të stërvitjes së madhe ushtarake “Defender Europe 2021”). Siç shihet, këto janë takime që kanë pasur një kuptim, një qëllim, të caktuar dhe kanë përcjell një mesazh. Mesazhi është i qartë për secilin rast. Madje, nuk janë vetëm takimet e kryera që kanë përcjellë mesazhe. Por edhe ato që nuk janë kryer. Në rastin shqiptar, takimet e pakryera përcjellin një mesazh edhe më të fortë.

Kjo gjë është në stilin amerikan. Atyre nuk u pëlqen të humbasin kohën kot. Nuk bëjnë lëvizje në zbrazëti. E megjithatë, Philip Reeker e bëri një lëvizje të zbrazët. Ai pati një takim të çuditshëm. Ai takoi Leka Zogun Junior. Dhe unë kam më shumë se 24 orë që pyes veten, vras mendjen, dhe kam përshtypjen se kështu si unë edhe të tjerë kanë në kokë pyetjen se cila është domethënia e kësaj vizite në shtëpinë e Leka Zogut? Cila është domethënia e këtij takimi? Unë nuk e di se cila është domethënia. Më shumë më shushat vizita e Reeker-it në shtëpinë e Lekës, sesa do të më kishte shushatur vizita e të njëjtit person në shtëpinë e Alfred Cakos.

Lind pyetja: Mos vallë Reeker-i ka ndonjë tërheqje ndaj burrave shtatlartë? (Zogu, Rama, Basha...!) Apo mos ka ndonjë kureshtje, kërshëri të veçantë kulturore dhe intelektuale për shtëpitë monarkike, apo... më saktë për shtëpitë e rrënuara monarkike. Apo mos vallë, i është futur mik ndonjë vatran (“vatran” quhen anëtarët e shoqërisë “Vatra”)? Vatranët, në fakt, kanë ndikim “të madh” në politikën amerikane (e thënë kjo me ironi). Madje, disa njerëz i mendojnë me një ndikim aq të madh, saqë i shikojnë si të dytët në radhë pas hebrenjve, kur vjen puna te ndikimi në politikën amerikane. (Por kjo nuk është e vërtetë. Përsëris, ishte vetëm ironi.) Ndërsa pyetja radhës do të ishte: Apo mos vallë Reeker-i ka ngulur, apo ka dashur të ngulë gozhdën e fundit në arkivolin e karrierës politike të Ilir Metës?

Në fakt, kjo teza e fundit ka disa mbështetës të cilët kanë shkruar për këtë gjë. Madje kanë mbrojtur edhe idenë që Reeker-i e ka poshtëruar Ilir Metën në këtë rast. Nuk mjaftoi që ai nuk pati një takim me të, nuk mjaftoi që ai nuk harxhoi edhe pesë minuta të jetës së vet për t’i dhënë dorën, por Ambasada Amerikane bëri edhe një deklaratë në emër të tij. Kjo deklaratë ishte tallëse dhe përqeshëse, në përpjekje për të justifikuar takimin e munguar të Reeker-it me kryetarin e shtetit shqiptar. “Takimi mungoi, ishte i pamundur, për shkak të agjendës së ngjeshur.” Kështu u tha nga Ambasada Amerikane: “... për shkak të agjendës së ngjeshur”. E duhet të kemi parasysh, se në këtë agjendë të ngjeshur, Reeker-i gjeti kohë të takonte edhe Ilva Taren, një gazetare shumë e mirë, por që nuk është më qytetare shqiptare; gjeti kohë të takonte edhe Leka Zogun, një zotëri i vërtetë, por në terma politikë për mua është një relik i historisë. Mesazhi ka qenë i thjeshtë. Reeker-i ka dashur t’i thotë Ilir Metës: “Ilir Meta, ti nuk ekziston më.” Kjo është ajo që kanë menduar shumë njerëz. Mua edhe kjo gjë nuk më bind shumë, sepse Ilir Meta ka kohë që nuk ekziston më (të paktën që nga zgjedhjet e fundit parlamentare). E dimë të gjithë. Edhe Ilir Meta vet e di. Unë supozoj se edhe Reeker-i e di.

Prandaj pyetja mbetet gjithsesi: Pse Reeker-i i shkoi në shtëpi Leka Zogut Junior? Boh!!! Unë kam filluar të mendoj se nuk ka qenë Reeker-i ai që ka shkuar atje, por ndonjë sozi e tij, i shoqëruar nga ndonjë sozi e Yuri Kim-it.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy