Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thotë se Hamasi ka propozuar "ndryshime të shumta" në planin e mbështetur nga SHBA për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza.
Ai u tha gazetarëve në Doha se disa nga ndryshimet ishin "të zbatueshme" dhe të tjerat jo, por se SHBA dhe ndërmjetësit Katari dhe Egjipti "do të përpiqeshin ta mbyllnin këtë marrëveshje".

Hamasi tha të martën se ishte gati të "merrej pozitivisht" me procesin, por theksoi nevojën që Izraeli të binte dakord për një armëpushim të përhershëm. Qeveria e Izraelit nuk ka komentuar, por një zyrtar anonim izraelit tha se përgjigja e grupit të armatosur palestinez ishte një refuzim.
Të martën, Blinken tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte "riafirmuar angazhimin e tij" ndaj propozimit të armëpushimit dhe se vetëm Hamasi qëndronte në rrugën e përparimit.
Megjithatë, Netanyahu nuk e ka miratuar publikisht planin. Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të hënën një rezolutë që mbështet propozimin, duke shtuar presionin diplomatik që SHBA po ushtrojnë.



