Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit. Në fillim të fjalës së tij, Rama paralajmëroi lëvizje të tjera në Policinë e Shtetit, teksa tha se do të ketë lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e Policisë së Shtetit, deri në nivelin e komisariateve.
Së pari, dua t’i uroj punë të mbarë të gjithë drejtuesve të rinj të qarqeve dhe duke shpresuar që këto lëvizje, që do të shoqërohen me lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e Policisë së Shtetit, deri në nivelin e komisariateve, të vlejnë për një rienergjizim të domosdoshëm në një fazë të re, ku hyn reformimi dhe transformimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit. Pa diskutim që Policia e Shtetit sot ka jo pak arsye për të qenë krenare lidhur me punën e saj, por nga ana tjetër, pikërisht pse Policia e Shtetit ka dhënë provën se në këtë vend mund të ketë një Polici Shtetit të standardeve evropiane, edhe pritshmëria, edhe pakënaqësia e qytetarëve, është në një nivel domethënës. Pritshmëria lidhet me domosdoshmërinë që Policia e Shtetit të ecë më shpejt dhe të japë rezultate në çdo hap. Pakënaqësia shkon bashkë me pritshmërinë.
Ndër të tjera Rama e ka cilësuar si të pajustifikueshme mungesën e etikës së efektivëve të policisë në komunikimin me qytetarët. Sipas tij rritja e rasteve të mungesës së etikës është shumë domethënëse për të situatën e përgjithshme. Rama kritikoi Forcat “Shqiponja” dhe ato të Patrullës së Përgjithshme, pasi sipas tij, shpesh e kapërcejnë rolin e tyre në raport me qytetarët.
Dua ta nis këtë renditje të problematikave pikërisht nga raporti i policisë së Shtetit me qytetarët, që është “A” dhe “Zh” e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit. Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët, sidomos nga ana e forcave “Shqiponja” dhe Patrulla e Përgjithshme, të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura. Rritja e rasteve të mungesës së etikës në komunikimin me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë, që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet, nevojat dhe ankesat e qytetarit. Imazhi shumë pozitiv i ndërtuar dhe konsoliduar këto vite në sytë e qytetarëve, nuk mund në asnjë mënyrë të cenohet, e aq më pak të lëndohet, duke afektuar gjithë Policinë e Shtetit në optikën e opinionit publik. Ky është edhe prioriteti i prioriteteve për të gjithë drejtuesit e rinj të policive vendore, që shenjtërimin e uniformës dhe mbrojtjen e imazhit të Policisë së Shtetit duhet ta kenë dritë në syrin e tyre.
Kryeministri u ndal edhe tek rasti i Sarandës, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i plagosur një turist dhe një biznesmen duke theksuar se nuk duheshin kaluar me vërejtje por me përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të zinxhirit drejtues.
Kush janë këta pronarë lokalesh në zonat bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë për abuzim që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal. Jua them unë kush janë këta. Këta janë tutorët e policisë së Shtetit në ato territore. Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë dhe jo me masa ordinere. Përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të personave përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për sakatimin e njerëzve në lokal në 1 të natës, përveç atyre që e kanë lejuar. Një sfidë ndaj ligjit dhe qytetarit të mirë. Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë policinë e shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë apo se dy palë futen në konflikt në 1 të natës“, tha Rama.



