
Kosova dhe Serbia, të mërkurën mbrëma kanë arritur marrëveshje për targat, në Bruksel.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.
Më tej ka ftuar palët që në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm të dialogut.
“E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, u shpreh Borrell.
We have a deal!
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) November 23, 2022
Very pleased to announce that Chief Negotiators of #Kosovo & #Serbia under EU-facilitation have agreed on measures to avoid further escalation and to fully concentrate on the proposal on normalisation of their relations.
Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se pas shumë orë bisedimesh, Kosova ka arritur objektivin e saj.
“Pas orëve të gjata, arritëm objektivin tonë: Kemi një marrëveshje! Tani mund të fillojnë bisedimet intensive për normalizimin e plotë”, shkroi Bajrami në Twitter.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.



