Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, ka ngritur shqetësime të forta mbi gjendjen e sistemit arsimor dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria, duke e lidhur këtë fenomen me politizimin e arsimit, pagat e ulëta të mësuesve dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Sipas tij, arsimi në vend është i kapur dhe është kthyer në një instrument politik ndër vite.
Arsimi është politizuar nga fillimi deri në fund. Mësuesit kanë pagat më mjerane në rajon.
Ai theksoi se shumë të rinj po zgjedhin të largohen nga vendi për shkak të kushteve ekonomike dhe mungesës së shpresës për të ardhmen.
Ata nuk zgjedhin të ikin me qejf, por për fatin tonë të keq zgjedhin të jetojnë jashtë. Ne kemi shqiptarë që kanë studiuar në Oxford e janë kthyer, por tani gjithçka po ikën, po na ikën shpresa.
Mehmeti ngriti gjithashtu shqetësimin për kostot e jetesës dhe pagat e ulëta, duke i konsideruar si faktorë që i shtyjnë të rinjtë drejt emigrimit.
Si mund të rrijë një i ri këtu kur metri katror në Tiranë është më i shtrenjtë se në Londër? Me 700 mijë lekë rrogë nuk mbahet jeta.
Ai kritikoi gjithashtu politikat sociale dhe arsimore, duke thënë se mbështetja për familjet dhe fëmijët është e pamjaftueshme krahasuar me vendet e tjera.
Në Greqi mbështetja për fëmijët shkon deri në 18 vjeç, ndërsa këtu nuk merret asgjë. E kemi bërë të pamundur qëndrimin e të rinjve.
Sipas tij, një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi vetë të rinjtë, të cilët shpesh zgjedhin largimin si zgjidhje të shpejtë.
Edhe të rinjtë kanë fajin e tyre që nuk i dalin për zot vetes dhe zgjedhin të ikin jashtë, kur në fakt duhet të revoltohen.
Në përfundim, Mehmeti e cilësoi gjendjen e arsimit si alarmante, duke paralajmëruar pasoja afatgjata për vendin.
Ose do bëjmë një brez analfabet, ose do i largojmë të rinjtë jashtë shtetit. E kemi humbur betejën me arsimin nëse vazhdojmë të mos e ndajmë nga politika.



