Denis Dyrnjaja
Prej vitesh në Shqipëri flitet për pastrimin e parave si një ndër problemet më serioze që dëmton konkurrencën e ndershme dhe destabilizon ekonominë. Çfarë ndodh realisht?
Nga njëra anë kemi miliona euro që qarkullojnë në sektorë si ndërtimi apo lojërat e fatit, me burime të paqarta ose të dyshimta, ndërsa nga ana tjetër, kemi një sistem bankar që hesht, një Agjenci Inteligjence Financiare (AIF), që thuajse nuk ekziston ose ekziston formalisht, dhe një Bankë Qendrore që mjaftohet me raportime formale.
Pra jemi në kushtet kur ligji ekziston, por zbatimi mungon dhe kur zbatimi mungon, kjo lidhet me vullnetin e institucionit dhe drejtuesit të tij. Në një term të vetëm ky quhet mosveprim dhe mosveprimi në legjislacionin penal dënohet me ligj sipas pasojave që sjell.
Shqipëria ka një ligj të qartë për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Bankat kanë detyrime për të identifikuar klientët, për të raportuar transaksione të dyshimta, për të kërkuar burimin e të ardhurave e çdo veprim tjetër bankar që lidhet me veprimtari të dyshuara si të paligjshme. Por në praktikë, bankat shpesh ndjekin parimin: “më mirë klienti sesa telashi me autoritetet".
Aktualisht në Shqipëri veprojnë këto banka të nivelit të dytë:
- Banka Kombëtare Tregtare (BKT)
- Raiffeisen Bank
- Credins Bank
- OTP Bank
- Intesa Sanpaolo Bank
- Union Bank
- Alpha Bank
- Fibank
- ABI Bank
- ProCredit Bank
- Tirana Bank
Asnjë prej këtyre bankave nuk është përfshirë publikisht në ndonjë hetim penal për mosraportim të pastrimit të parave. Statistikat nga raportet vjetore flasin për rritje të ndjeshme të qarkullimit të parasë në sektorë me risk, por mungojnë hetimet konkrete.
Një qendrim të ngjashëm thuajse indiferent shfaq Agjencia e Inteligjencës Financiare, një institucion tepër i rëndësishëm dhe kyç në rolin që ka për të mbikëqyrur të gjithë situatën me pastrimin e parave në Shqipëri, por që me mefshtësinë e dukshme ka mbetur në hije dhe inefiçent.
Praktikisht AIF, që duhet të jetë “radari” financiar i shtetit, nuk ka deri më sot që flasim të referuar në SPAK asnjë çështje me peshë, që të jetë ajo nismëtare e kapjes dhe denoncimit në institucionet ligjzbatuese. Roli i kësaj agjencie gjurmuese dhe investiguese, në fakt shfaqet më shumë si administrativ sesa hetimor.
Në një vend ku ekonomia informale zë mbi 30% të PBB-së, (prodhimit të përgjithshëm bruto), kjo heshtje ose përgjumje institucionale e AIF është tepër shqetësuese. Sjellja e këtij institucioni duhet parë me vëmendje të veçantë, veçanërisht për të kuptuar përse është më familjar me mosveprimin sesa me veprimin.
Por spektatore në këtë tablo të madhe informaliteti, duket se është edhe Banka e Shqipërisë, që ngjan si arbitër futbolli pa kartonë ne xhep. Si institucion rregullator, Banka e Shqipërisë ka të gjitha instrumentet për të monitoruar, kërkuar llogari dhe ndëshkuar bankat e nivelit të dytë, që neglizhojnë detyrimet e tyre.
Por në vend të masave konkrete, kemi deklarata të përgjithshme dhe mbështetje për “forcimin e kapaciteteve” bankare. Në Itali shtypi këto lloj qëndrimesh i përmbledh me shprehjen bla...bla...bla, si diçka pa rëndësi apo vlerë. Jemi praktikisht në këtë nivel se nuk ka shpjegim kur informaliteti bërtet, ndërsa Banka e Shqipërisë, si spektatore vetëm duartroket.
Pra praktikisht të gjithë sistemin monitorues dhe sigurues të financave e kemi në pasivitet. Por çfarë kërkohet?
Së pari më shumë transparencë. Agjencia e Inteligjencës Financiare duhet të publikojë më shumë të dhëna konkrete për raportimet e bankave dhe rastet e referuara, nëse ka, për lëvizjet e parave në sistemin bankar, shitje/blerjet e aksioneve dhe gjendjet financiare të subjekteve që nga hiçi për periudha të shkurta gjenerojnë miliona euro kapital financiar.
Nëse nuk ka duhet mësuar përse nuk ka dhe kush është përgjegjës për këtë situatë, ku gardiani qendror për monitorimin e parave te paligjshme në qarkullim, nuk vepron.
Banka e Shqipërisë duhet të japë shembull me ndëshkime ndaj bankave që tolerojnë klientë të dyshimtë. Pra daljet dy herë në vit të Guvernatorit të Bankës se Shqipërisë që raporton vetëm përformancë pozitive dhe progres, janë një fiktivitet burokratik bajat që nuk vlen për asgjë dhe pa lidhje kërkund me realitetin faktik.
Ky realitet flet për një situatë shumë kritike, që Banka e Shqipërisë ose refuzon ta shohë, ose nuk di ta shohë. Pra nëse është paaftësi dhe më keq.
Duke parë këtë tablo, atëherë lind nevoja që prokuroria e posaçme (SPAK), të përfshijë sektorin bankar në prioritetet e saj hetimore. Duke hetuar bankat, SPAK-ut nuk i duhet te presë ndoshta fare letër-porosi nga jashtë pasi provat i ka brenda sistemit bankar shqiptar.
Aty mund te gjenden thagma financiare, duke filluar nga vetë organizimi i bankave si shoqëri aksionere, deri te shumë inskenime dhe skema kamuflazhi ku vetë bankat janë bërë kontributore për kapërcime ose anashkalime të ligjit për subjekte të cilat janë apo kanë qenë objekt i ndjekjes penale.
Të gjitha këto konstatime nuk janë një qasje represive, por një sinjal për të kontribuar për shëndetin financiar në Shqipëri. Dhe pse kjo analizë konstaton dhe e vë sistemin bankar në presion për transparencë, nuk synon të demonizojë bankat, por t'i inkurajojë ato drejt dritës dhe jo hijeve të paligjshmërisë.
Kjo do të thotë se kur ato janë pjesë e sistemit, atëherë duhet të jenë edhe pjesë e zgjidhjes. Me "buzëqeshjen" e ngrirë dhe shpesh të ftohtë, bankat janë shndërruar në streha të sigurta të paligjshmërisë financiare, duke vështirësuar kriteret për formalizimin e ekonomisë dhe liberalizuar paligjshmërinë, sepse kjo e fundit e ka më të madh dhe më te lehtë ryshfetin.
Dhe bankat vërtetë konsiderohen si subjekte të ftohta nga ndjeshmëria, por në fund të fundit drejtohen nga njerëz, që iu pëlqejnë paratë sidomos kur ato janë "të ngrohta" edhe kur ato vijnë nga paligjshmëria. Sepse kur ligji fle, paraja flet!



