Gazetari Armir Shkurti, anëtar i Grupit të Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar në mbështetje të protestës, dhe Arbër Lleshi, pjesë e grupit organizator të protestës kundër qeverisë, u përfshinë në një debat në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, lidhur me pyetjen nëse protesta duhet të ketë një strukturë përfaqësuese.
Shkurti argumentoi se protesta, megjithëse është një lëvizje popullore, nuk mund të mbetet pa një mekanizëm përfaqësimi, pasi sipas tij kjo krijon terren për manipulim dhe kapje politike.
Kjo është një protestë popullore dhe brenda saj ka shumë rryma, shumë kërkesa dhe shumë përfaqësi që sot janë të papërfaqësuara. Kur një popull ngrihet në këmbë, nuk mund të futet në qerthullin e dhunës pa pasur një drejtim. Dhuna pa kokë e çon protestën aty ku e kemi parë edhe më parë, në duart e një force politike. Pikërisht që protesta të mbetet pjesë e popullit, ne kemi sugjeruar krijimin e një Kuvendi Kombëtar Qytetar. Nuk bëhet fjalë që ta marrim ne protestën apo të nxjerrim deputetët tanë. Ai është një kuvend formal, ndërsa ne flasim për mbledhjen e popullit. Populli është i larmishëm, aty gjen njerëz nga shtresa të ndryshme, por pa përfaqësi gjithçka kthehet në kaos dhe protesta shpërdorohet. Ka përpjekje për ta kapur protestën, por nuk je ti ai që duhet ta bësh këtë.
Nga ana tjetër, Arbër Lleshi kundërshtoi idenë e ngritjes së një strukture tjetër përfaqësuese, duke theksuar se qytetarët tashmë e kanë shprehur vullnetin e tyre në shesh dhe se problemi qëndron tek institucioni i Kuvendit, i cili sipas tij është uzurpuar.
Një Kuvend e ka Shqipëria. Unë kam kundërshtuar ata që e kanë uzurpuar atë institucion. Nuk është e vërtetë që kam gjuajtur deputetët me vezë; unë kam goditur mikrofonin e Top Channel dhe mund ta bëj sërish. Në këto kushte nuk kemi një Kuvend funksional, pasi ai është uzurpuar. Zgjidhja nuk është krijimi i një kuvendi tjetër, por fakti që populli është mbledhur në shesh. Nuk e dija që ekzistonte teoria konspirative se ne paskemi ardhur për të kapur protestën.
Debati mes dy të ftuarve u përqendrua te dilema nëse protesta qytetare duhet të organizohet përmes një strukture përfaqësuese, si Kuvendi Kombëtar Qytetar i propozuar nga grupi ku bën pjesë Shkurti, apo të mbetet një lëvizje spontane qytetare, siç mbrojti Lleshi.



