
Detaje të reja janë mësuar nga atentati i ndodhur një ditë më parë në Tiranë. Gjatë ditës së sotme, policia ka gjetur motorin e djegur të autorit të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Bujar Nasufi.
Motori është gjetur i shkrumbuar në zonën e Kodrës së Diellit, ndërsa tashmë është duke iu nënshtruar një ekspertize të thelluar nga drejtoria e policisë së Tiranës.

Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Mbrëmjen e së dielës së 12 janarit, me maskë në fytyrë dhe i kamufluar si shpërndarës picash, autori ende i paidentifikuar nga policia e Tiranës, e priti Bujar Nasufin në hyrjen e pallatit që 56-vjeçari kishte ndërtuar vite më parë me të atin e vëllain, për të jetuar afër me njëri-tjetrin.
Sapo 56-vjeçari ka dashur të parkojë, autori është afruar dhe e qëlloi me armë pa zbritur nga makina, në sy të gruas, duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje kanë mbetur copat e xhamit të makinës.
Pas vrasjes autori mendohet se u largua me motoçikletë të zezë drejt Selitës, e cila u gjet ditën e sotme në në zonën e Kodrës së Diellit.
Nga hetimet e kryera deri më tani, policia dyshon se pas vrasjes qëndrojnë konflikte brenda rrethit familjar për pronat me anëtarë të tjerë të fisit, pistë e cila po verifikohet.



