
Kokaina e kapur në Durrës mëngjesin e sotëm ishte e destinuar për tregun europan. Lënda narkotike u gjet e fshehur në një konteiner me dysheme të dyfishtë, të ngarkua me banane. E gjithë sasia e drogës prej 613 kg ishte paketuar në 528 pako, të cilat ishin “maskuar” nën ngarkesën e bananeve.
Sasia rekord e lëndës narkotike kishte ndjekur këtë itinerar: Kolumbi-Itali-Maltë dhe në fund kishte mbërritur në portin e Durrësit. Sipas detajeve të bëra publike nga policia, konteinerët me banane ishin porositur për kompaninë ‘Arbi-Garden’ shpk me qendër në Manzë. Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kësaj kompanie, A.Ç.
Ndërkohë, në pranga janë vënë dy të rinj. Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë si edhe Armando Pezaku, lindur dhe banues në Durrës, janë vënë në pranga.
Sipas hetimeve, pasi të shkarkohej nga kontejnerët, sasia e drogës do udhëtonte drejt vendeve të BE-së. Në fillim do të kalonte drejt Italisë, e më pas drejt vendeve të tjera.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e cilësoi operacionin për kapjen e kësaj sasie droge si një goditje e fortë ndaj trafikut ndërkombëtar.
“Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës! Hetimi vazhdon! Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron. Pas pak detajet nga Policia e Shtetit në një konferencë për shtyp”, shkroi Xhafaj në Tuiter.



