
Sulmet hakmarrëse, kufizimet ndaj grave, goditje e protestave, mediave dhe shoqërisë civile…. Këto janë vetëm disa nga shkeljet e talebanëve në Afganistan të cilët erdhën në pushtet vetëm më pak se pesë javë pas largimit të forcave amerikane nga vendi.
Në kundërshtim me premtimet publike të talebanëve se ata do të respektojnë të drejtat e të gjithë afganëve, ata kanë demonstruar qartë se nuk janë aspak seriozë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Një raport i ri i publikuar nga Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Organizata Botërore Kundër Torturës ka dokumentuar shtypjen në masë të gjerë nga ana e talebanëve.
Në raport theksohet gjithashtu se progresi për të drejtat e njeriut në Afganistan gjatë dy dekadave të fundit është në rrezik të zhduket.
Që nga ardhja në pushtet e talebanëve në vend mbizotëron klima e frikës, mungesa e lidhjes me celular në shumë zona si dhe ndërprerje e internetit.
SHBA dhe vendet e tjera kanë kërkuar që kontrolli i vendit nga talebanët të përfshijë një qeveri gjithëpërfshirëse respektimin e të drejtave të njeriut dhe heqjen dorë nga rikthimi i regjimit të tyre të ashpër islamik.
Por raporteve që dokumentojnë shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, zyrtarët talebanë i konsiderojnë të njëanshme dhe në të njëjtën kohë bëjnë thirrje nga komuniteti ndërkombëtar që të njoh qeverinë e tyre.



