Afera e “Sterilizimit” sipas SPAK

Afera e “Sterilizimit” sipas SPAK

Koncesioni i sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë ishte kallëzmi i parë që u depozitua në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Nisma Thurrje e kishte denoncuar këtë aferë duke u bazuar në disa dyshime të arsyeshme.

  1. Përse ky shërbim duhet të kontraktohej me koncesion dhe jo të ofrohej nga vetë shteti?
  2. Vlera e investimit që duhet të kryente koncesionari për vitet e para sipas kontratës ishte 15 milion euro, por kishte dyshime të arsyeshme se në fakt shpenzimet për ofrimin e këtij shërbimi nuk shkonin më shumë se 4 milion euro.
  3.  Në bazë të disa auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një pjesë e mirë e kostove të operimit, pajisjet, ambientet e sterilizimit, energjia dhe uji përballohen nga vetë spitalet.
  4. Kontrata rezulton të ketë dalë mbi skenarin financiar të planifikuar për shkak të numrit më të ulët të seteve që ishin planifikuar dhe mundësisë së ulët të kombinimit të instrumentave kirurgjikalë që ofronte koncesionari. 

Nisma Thurrje kërkonte hetimin për dyshimet e veprës penale “shpërdorim i detyrës”, “shkelje e barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

“Një hetim i nisur në vitin 2016 për koncesionin e sterilizimit ishte mbyllur nga Prokuroria, pavarësisht se të dhënat që vinin nga realiteti ishin ulëritëse. Duke qënë se ne më hapjen e SPAK lamë pas epopenë e një drejtësie të kapur, ne vendosëm që këtë çështje ta çojmë dhe njëherë në Prokurori.” thotë Pano Soko, aktivist i Nismës Thurrje

SPAK merr në pyetje mjekun Artan Koni, aktivist i Nismës Thurrje dhe Pano Sokon. Ata sqarojnë në dëshmi se kosto mesatare reale e sterilizimit të një seti është 2.4 euro, ndërsa përmes kontratës PPP rezulton 190 euro. Argumentimi shoqërohet edhe me një tabelë çmimesh të kostove të sterilizimit në vendet e tjera. Në Turqi kosto e sterilizimit për set rezulton 1 euro, në Gjermani 0.8 euro, ndërsa në Angli, shtet që ka shërbimin shëndetësor ndër më të shtrenjtët në botë 40 paund.

Dyshimet dhe diskutimet nuk lidhen duhet apo jo sterilizimi, por nëse kosto mund të ishte më e lirë nëse këtë shërbim do ta ofronte shteti. Sipas dosjes së SPAK, në vitin 2011 Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ble përmes një kredie me vlerë 800 mijë euro të Bankës Europiane për Zhvillim pajisje moderne dhe avangardë për sterilizimin. Në këtë qendër të ndodhur brenda ambienteve spitalore, ishin të vendosura autoklava për sterilzimin dhe pajisje mbështetëse me vlerë 250 mijë euro. Situatën në këtë pavion drejtorja e QSUT në atë periudhë Ogerta Manastirliu, ia dërgon përmes një shkrese ministrit Ilir Beqaj më datën 27 shkurt 2014. Në letër argumentohet plani për vendosjen në punë të çentralit, ku kërkohej staf 32 persona me fond vjetor pagash 223 mijë euro, shpenzime për naftë, avull dhe ujë me fond 377 mijë euro dhe 360 mijë euro të tjera për blerje materialesh që amortizohen.

Në total vendosja në punë e çentralit do të kërkonte 960 mijë euro, nga 10 milion euro në vit që u caktua disa muaj më vonë me kontratën koncesionare. Qendra ofronte kapacitet për sterilizimin për 60 mijë sete kirurgjikale, nga 50 mijë që ishte vendosur në kontratën koncesionare dhe në një kohë që nevojat në vitin 2013 ishin për 63 mijë sete në të gjithë vendin.

SPAK thotë në dosjen hetimore se përgjegjësia për mosvënien në punë të çentralit të sterilizimit është e titullarëve të QSUT dhe ministrave të Shëndetësisë nga viti 2012 deri në vitin 2016. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka llogaritur se si pasojë e këtij mosveprimi i është shkaktuar një dëm me vlerë 250 mijë euro buxhetit të shtetit për shkak të amortizimit dhe përfundimit të periudhës së garancisë së pajisjeve të sterilizmit.

“Është njëlloj si të kesh një shtëpi dhe ia jep tjetrit ta përdorë dhe më pas ia merr me qira. Pra është njësoj si të rrish me qira te shtëpia jote.” thotë Pano Soko.

“Sterilizimi ka të bëjë me rregullimin e pajisjeve kirurgjikale për t’i hequr atyre papastëritë dhe mikrobet që mund të jenë aty. Pajisje shumë të pastra sterile që të mos ketë infeksion te pacienti. Në të gjithë Shqipërinë ka bllok operator, salla ku rrinë shiringat, mjetet e tjera, veshjet sterile të cilat sterilizohen brenda bllokut operator brenda një autoklave që zakonisht është me avull që bëjnë gati pajisjet për operacionin që do të vijë. Për këtë shërbim në kohën kur kishim koncesionet kostot nuk shkonin më shumë se 300 mijë euro në vit. ” thotë Profesor Doktor Pirro Prifti.

Në bazë të auditimeve të bëra nga KLSH rezultonte se gjatë zbatimit të kontratës, koncesionari shfrytëzonte ambientet dhe pajisjet në QSUT pa paguar dhe në dëm të buxhetit të shtetit, ndërsa në spitalet rajonale energjinë dhe ujin e paguante shteti. Vetëm në spitalin e Durrësit dëmi i shkaktuar për këto kosto të padrejta kap vlerën 1.3 milion euro.

Por përpara se shërbimi i sterilizimit të jepej me koncesion, menjëherë pas ardhjes së socialistëve në pushtet dhe drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë nga Ilir Beqaj, ministri bashkë me zv/ministrin Klodian Rjepaj nisin një tur vizitash në rajonin e Umbrias në Universitetin e Peruxhias ku takohen ndër të tjera dhe me Ilir Rrapaj, Umbro Staçinin dhe Gianni Bidinin, profesorë në këtë universitet. Vizita e tyre kthehet në Shqipëri në formën e një delegacioni që do të hartonte një dokument për politikat e sterilizimit duke vizituar 6 spitale rajonale në vendin tonë. Dokumenti hartohet dhe mes të tjerëve autorë rezultojnë zv/minsitri Rjepaj dhe Umbro Staccini.

Materiale identike të këtij dokumenti, thotë Prokuroria e Posaçme janë bërë pjesë e studimit të fizbilitetit për koncesionin e sterilizimit. Hetimet kanë zbuluar se zv-ministri Klodian Rjepaj ka qënë shok klase me Ilir Rrapaj në Fakultetin e Mjekësisë dhe po ashtu me Artan Leshin në vitet 96’ e 97’, drejtor në kompaninë koncesionare Sani Service.

Investital në pronësi të Ilir Rrapaj ka 40% të aksioneve të koncesionit, Servizi Italia 30% përfaqësuar nga Enea Righi dhe Ujet srl e Tecnosanimed me nga15% të përfaqësuara nga Umbro Staccini.

Prokuroria ka gjetur se në disa raste, përpara dhe gjatë dhënies së koncesionit, pronarët e kompanisë kanë udhëtuar me zv/ministrin Rjepaj dhe ministrin Ilir Beqaj.

23.03.2015- Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj kanë udhëtuar bashkë për në Romë, periudhë kur sa ishte shpallur tenderi.

13.04.2016 - Umbro Staccini, Ilir Rrapaj Dhe Klodian Rrjepaj kanë udhëtuar bashkë në Peruxhia.

24.11.2016 Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj dalin nga Shqipëria me linjën “Blu Panorama”.

01.12.2015 Admir Daca administrator i kompanisë koncesionare “Sani Service” udhëton në Vjenë dhe në të njëtin avion ndodhet dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

23.05.2017 Ilir Beqaj dhe Umbro Staccini hyjnë në Rinas në një udhëtim që nis nga Roma.

13.03.2018 Klodian Rjepaj dhe Umbro Staccini hyjnë bashkë nga nga pika kufitare e Morinës.

12.12.2014 Umbro Staccini, Klodian Rjepaj, Ilir Rrapaj udhëtojnë në Kosovë.

Në këtë kohë kur ishte duke u diskutuar dhënia me koncesion e sterilizimit dhe po kryehej Studimi i Fizibilitetit.

Prokuroria ka marrë deklarime nga punonjësja e Spitalit Nënë Tereza Daniela Nika për njohjen e hershme që ka patur në klasë Ilir Rrapaj me Klodian Rjepaj dhe të shoferit të Ministrisë së Shëndetësisë që ka konfirmuar udhëtimin në Kosovë.

“Vendimarrje të tilla janë kaluar nga ministri dhe ka qënë ministri ai që e ka ditur që një proces që ne kemi investuar paratë e shtetit për të ngritur qëndrën e sterilizimit, po i kalon koncesionarit.” thotë Pano Soko.

Prokuroria ka zbuluar dokumenta ku kompania italiane Servizi Italia, pronare me 30% e kontratës së sterilizimit ka marrë vendim të bordit të saj në datën 18 dhjetor 2014 që të krijohej një kompani në Shqipëri me qëllim pjesëmarrjen në një tender publik për një kontrate 10-vjeçare për sterilizimin, ndërkohë që rezulton se tenderi është hapur më 13 shkurt 2015, dy muaj pas këtij vendimi. Të gjitha këto lidhje sipas prokurorisë, krijojnë bindjen se zyrtarët dhe pronarët e koncesionit kanë patur informacion dhe njohje më parë dhe fituesi ka qënë i paracaktuar. Prokuroria ka kërkuar po ashtu informacion mbi të dhënat e kompanisë Investital, në pronësi të Ilir Rrapaj, ku ka rezultuar se në vitin 2014, që është marrë në referencë si vit për shëndetin dhe kapacitetin financiar të kompanisë, Investital ka qënë e regjistruar në Kosovë dhe kishte vetëm 1 punonjës, ndërsa nuk deklaronte as xhiro dhe as tatime të paguara për shitje mallrash dhe shërbimesh. Kjo kompani zotëronte dhe kuotat më të mëdha në koncesion, 40%.

Hetimi ka hulumtuar mënyrën se si janë hartuar kostot në Studimin e Fizibilitetit i cili më pas i hapi rrugë procedurës së dhënies së sterilizimit me PPP. Aty janë konstatuar llogaritje të gabuara të ndara në klasa shpenzimesh dhe jo në llogaritjen e saktë të kostove për njësi. Vlera për instrumentat kirurgjikale del e ndryshme në spitale të ndryshme. Diferenca më e madhe është mes QSUT dhe spitalit të Korçës, ku në QSUT për një set kosto e sterilizimit del 8230 lekë, ndërsa në Korçë 315 lekë.

Po ashtu në llogaritjen e kostove të koncesionit në Studimin e Fizibilitetit janë përfshirë barna dhe materiale mjekësore të cilat nuk janë marrë përsipër nga koncesionari në kontratë, çka vetëm për pjesën e seteve që ofroheshin nga QSUT, kostot sipas hetimeve janë fryrë me 56.4%.

“QSUT është spital tercial që mbulon çdolloj operacioni që bëhet, kurse rajonalet jo. Nuk u bë mirë fizibiliteti dhe ekipi nuk ishte profesional. Por ka dhe një gjë tjetër, mund të jenë profesionalë por të kenë presion.” thotë mjeku Pirro Prifti.

Hetuesit kanë marrë në pyetje stafin e infermierëve për të ditur nëse materialet mjekësore të llogaritura në Studimin e Fizibilitetit furnizoheshin nga koncesionari, por ata janë shprehur se merreshin pranë farmacisë së spitalit “Nënë Tereza”.

Hetimet po ashtu kanë evidentuar se si ministri Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj kanë qënë në dijeni se ndërhyrjet kirurgjikale në vitin 2013 ishin 63 mijë, po sërish miratuan në dokumentat e dhënies së koncesionit kërkesën për ofrimin e një vlere maksimale prej 50 mijë setesh. Beqaj rezulton të ketë firmosur urdhrin për ngritjen e komisionit të tenderit, ndërsa ka dërguar emaile për të konfirmuar punën e komisionit. “Dakord! Të vijojmë me procedurat e tjera.” thuhet në një email që citon dosja e SPAK.

“Asetet e ministrisë transferohen vetëm me urdhër të ministrit dhe ai ka patur dijeni që kanë kaluar falas.” sqaron Soko.

SPAK ka marrë në shqyrtim edhe procedurën e dhënies së tenderit ku ka patur 5 oferta, 2 prej të cilave janë kualifikuar. Kompania jo fituese Action Laundry nuk bie dakord me vendimin e komisionit të vlerësimit dhe dërgon një ankesë në Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe pse ligji për prokurimin publik detyron autoritetin kontraktor të ngrejë një komision për shqyrtimin e ankesës me 3 antarë, përgjigjja për refuzimin e shqyrtimit është kthyer nga ministri Ilir Beqaj, i cili në përgjigje argumenton se ka mbaruar afati i ankimimit. Kompania dërgon ankesën në Komisionin e Prokurimit Publik ku kërkon skualifikimin e fituesit pasi nuk kishte përvojë dhe licenca në disa fusha që kërkon kontrata koncesionare dhe se vlera e ofertës dilte 11 milion euro në vit, ose 110 milion euro në 10 vjet, çka shkelte hapur shumën e vendosur në  fondin limit, një kriter ligjor ky i padevijueshëm. Action Laundry argumenton se ka ofruar çmime më të lira në instrumentat e lartë, të mesëm dhe ulët e se pikët duhet të rillogariten, si dhe mundësinë e kombinimit të seteve në miliona nevoja që mund të kishin mjekët duke kursyer shpenzimet buxhetore. Komisioni i Prokurimit Publik pranon pjesërisht kërkesën e kompanisë dhe autorizon Ministrinë e Shëndetësisë që të rillogaritë pikët. Në klasifikimin e ri, pikët e Action Laundry mbeten të pandryshueshme dhe pikët e Sani Service rriten. Kompania ofronte vlerë më të ulët, për setet e larta, 253 euro nga 377 euro të koncesionarit aktual, 170 euro për setin e mesëm nga 223 që ofroi Sani Service dhe 110 euro për të ultin nga 139 që ishte çmimi i fituesit. Megjithatë, te setet me avull, të cilët kanë numrin më të lartë të përdorimeve, çmimi i Action Laundry ishte 68 euro nga 2.66 euro për Sani Service. Në fund të llogaritjes Komisioni kishte dalë në rezultatin se oferta në vlerë financiare totale do të ishte gati dyfishi i asaj të Sani Service, 23.7 mln euro në vit, nga 11.3 që dilte me atë fituese.

Prokurorët e çështjes kanë gjetur se shkeljet kanë vazhduar edhe gjatë firmosjes së kontratës koncesionare në dëm të palës shtetërore. Nëse në dokumentat e tenderit kërkohej që vlera e investimit të ishte 20 milion euro, në kontratë është vendosur shuma 15 milion euro. Ata kanë zbuluar se edhe gjatë periudhës së hapjes së tenderit juristja Marsela Serjanaj dhe zv/ministri Rjepaj janë vënë në dijeni nga një operator pjesëmarrës në garë për numrin e ndryshëm të ofrimit të shërbimit të sterilizimit, 50 mijë sete në total, ndërsa sipas tabelës të shërbimeve të ndara shuma rezultonte 64 mijë ndërhyrje. Pavarësisht kësaj ata kanë vijuar procedurat e tenderit pa marrë masa dhe kanë dërguar për nënshkrim kontratën. Prokuroria ka gjetur komunikime në email mes zv/ministrit dhe Ilir Rrapaj, të cilët duket se kishin konfidenca dhe njohje me njëri -tjetrin.

Mes datave 22 shkurt 20214 dhe 17 mars 2014, Ilir Rrapaj i dërgon emaile Klodina Rjepaj ku kuptohet se kanë njohje dhe marrëdhënie të afërt miqësore me njëri-tjetrin.

Ilir Rrapaj: “Hidhi një sy! Shpresoj të të pëlqejë. Nëse është ok, e çojmë për redaktim final dhe printim. Ciao Bello.”

Në një tjetër email Ilir Rrapaj i shkruan:

“I dashur Fra! Ky është teksti që të paralajmërova për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë. Sidoqoftë dhe njëherë të shkuara, ciao Bello.”

Përmbajtjen e këtij emaili, Klodian Rjepaj ia dërgon Ilir Beqajt, i cili është në dijeni për marrëdhënin e ngushtë mes tyre dhe përfshirjen e Ilir Rrapaj në përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit që i hapi rrugë dhënies me koncesion.

Në këtë pikë thotë dosja hetimore, Rjepaj nuk mund të ishte anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shkak të konfliktit të interesit dhe si ai, si Ilir Rrapaj kanë gënjyer kur kanë firmosur formularin që kërkon ligji për konfliktin e interest në fazën e hapjes së garës.

Hetimet zbulojnë se dhe në zbatim kontrata ka vijuar në mbrojtje të interesave të koncesionare dhe duke i shkaktuar shtetit miliona euro kosto çdo vit.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy