
Mbi 60% e popullsisë së botës përballet çdo ditë me mungesën e tualetit në shtëpi. Kjo do të thotë që 4.5 miliardë njerëz në botë, sipas të dhënave të OKB-së, nuk e dinë se çfarë do të thotë të kesh një banjo të veçantë në shtëpi. Nga këta, 892 milion njerëz nuk kanë mundësi tjetër për të kryer nevojat përveç mjediseve të hapura.
Ndikimi i kësaj mungese ka efekte shkatërruese në shëndetin publik, siç janë kushtet e jetesës dhe të punës, ushqimi, ekonomia dhe arsimi. Mjafton të themi se, sipas të dhënave të publikuara nga Kombet e Bashkuara, 900 milionë nxënës nuk kanë lavaman për të larë duart dhe një shkollë në pesë në botë nuk ka tualet, një problem serioz sidomos për vajzat gjatë periudhës së menstruacioneve, çka i detyron shumë prej tyre të humbin ditët e shkollës.
Për të rritur ndërgjegjësimin për mungesën e higjenës në botë, OKB ka zgjedhur si ditë ndërkombëtare kushtuar tualeteve 19 nëntorin. Shpesh flasim për çështjen e ujit dhe më përgjithësisht për higjenën, por kurrë për tualete sepse shumë shtete e konsiderojnë këtë një pyetje të lidhur me sferën private dhe nuk zbatojnë plane kombëtare. Në vend të kësaj, siç nënvizon OKB, "tualetet shpëtojnë jetë sepse parandalojnë përhapjen e sëmundjeve".
Qëllimi është të tërheqim vëmendjen e shteteve, veçanërisht në Afrikë dhe Indi, ku mungesa e tualeteve konsiderohet e natyrshme dhe madje kundërshtohet nga popullsia. Ata duhen nxitur të marrin masa për të përballuar sfidën e krizës globale shëndetësore, në një kohë kur 1.8 miliardë njerëz pinë ujë të patrajtuar, që mund të jetë i ndotur me fekale dhe 80% e ujit të përdorur në aktivitetet njerëzore kthehen në ekosistem pa u trajtuar dhe pa u pastruar.



