
Edhe pse 84-vjeçar dhe me probleme shëndetësore që e kanë munduar jo pak dy vitet e fundit, Silvio Berluskoni nuk i kursen batutat që kanë në qendër temën e tij të preferuar: femrat. E fundit është ajo gjatë një takimi elektoral në Kalabri.
“E njoh Jole Santelin prej 26 vjetësh dhe nuk ma ka dhënë kurrë”. Kështu e ka nisur ai fjalimin në mbështetje të kandidates së qendrës së djathtë në Kalabri. “Ajo mund t’i zgjidhë të gjitha problemet tuaja”, u ka thënë Berluskoni të pranishmëve në takimin elektoral.
Deklarata e tij është pasuar menjëherë me reagime. “Këto fjalë janë rasti i fundit i sjelljes maskiliste që Berluskoni ka pasur gjithnjë në raport me gratë. Kandidatja duhet të jetë e para që indinjohet në emër të të gjitha grave për këto fjalë seksiste dhe vulgare”, ishte komenti i Camilla Sgambato, sekretare e PD-së.
Në të njëjtën linjë janë edhe reagime të tjera të ardhura nga përfaqësuese të partive të majta, si Lëvizja 5 Yjet.
I gjendur nën një shi kritikash, Berluskoni u përpoq ta sqarojë deklaratën.
"Nuk lanë gjë pa thënë për mua sot në mëngjes kur bëra atë shakanë për kandidaten Jole, që nuk ma dha kurrë: seksist, racist që nuk i merr në konsideratë gratë. Unë i marr në konsideratë gratë aq shumë, saqë në parti kemi një grua presidente të Senatit, një nënkryetare të Dhomës së Ulët dhe drejtuese të grupeve në parlament", tha ai në një intervistë në mbrëmje. "Edhe në kompanitë e mia - shtoi Berlusconi - gratë kanë luajtur rol drejtues".




