Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka sqaruar me anë të një njoftimi për shtyp shkarkimet e disa drejtorëve ditët e fundit. Në njotim thuhet se shkarkimet nga detyra të drejtuesve të IEVP janë masa në funksion të forcimit të sigurisë në burgje, dhe në asnjë rast nuk rrezikojnë mirëfunksionimin e institucionit.
Drejtorët e shkarkuar nga detyra janë zëvendësuar menjëherë nga persona të deleguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në përputhje me Rregulloren e Burgjeve.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, shkarkimi nga detyra i disa drejtorëve të IEVP-ve është bërë për disa shkelje të ligjit si: përdorimi i institucionit për qëllime politike; fikja e kamerave të sigurisë së institucionit për disa ditë, pa asnjë motiv dhe shkak objektiv, duke krijuar bindjen e plotë për sjellje antiligjore brenda ambienteve të institucionit; shndërrimi i IEVP në institucione punësimi fiktiv, ku punonjësit paguhen, edhe pse evidentohet që nuk paraqiten në punë; dhënia e lejeve ndaj të dënuarve në kundërshtim me ligjin dhe procedurat; falsifikimi i librave të hyrje-daljes në institucion; apo moszbatimi i urdhrave të eprorit.
Njoftimi saktëson se të gjithë drejtorët që kanë shkelur ligjin janë njohur me motivet e shkarkimit dhe urdhrat e shkarkimit nga detyra, janë shoqëruar me relacion shoqërues, ku evidentohen motivet dhe analiza ligjore, se ku mbështetet shkarkimi nga detyra.
“Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Arjan Hoxha, siguron qytetarët se është i vendosur të garantojë sigurinë në burgje, si dhe shpreh vendosmërinë se nuk do të lejojë në asnjë rast që IEVP të shndërrohen në institucione të partive politike apo favoreve për subjekte zgjedhore të caktuara”, përfundon njoftimi.



