Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, mohon t’i ketë dërguar një letër me 16 pika presidentit serb Aleksander Vuçiç ku në një prej tyre kërkohej njohja e Kosovës.
Reagimi i Grenell erdhi pas deklaratave të ministrit serb të Financave Sinisa Mali, që më herët u shpreh se Grenell i ka kërkuar Vuçiç, që nesër në Uashington, të diskutohet njohja reciproke Kosovë-Serbi.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale Grenell thotë se kjo ‘nuk është e vërtetë’.
Të premten, me katër shtator, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Vuçiç do të takohet me Hotin për të diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri i Kosovës më herët ka deklaruar se i gjithë qëllimi i këtyre takimeve është njohja reciproke e dy vendeve, ndërsa presidenti serb e ka mohuar kategorikisht.



