Sharka: Nëse fermerët nuk orientohen dhe mbështeten, shumë prej tyre do të tërhiqen nga bujqësia (VIDEO)

Sharka: Nëse fermerët nuk orientohen dhe mbështeten, shumë prej tyre do të tërhiqen nga bujqësia (VIDEO)

Prodhimi bujqësor në vend vijon të shënojë rënie për të disatin vit radhazi, duke reflektuar vështirësitë me të cilat po përballet sektori. Të dhënat tregojnë se, krahas rënies së ndjeshme në blegtori, edhe prodhimi i serave, grurit dhe drufrutorëve ka pësuar tkurrje. 

 

Për ekspertin e çështjeve bujqësore, Eduard Sharka, situata është e parashikueshme dhe lidhet drejtpërdrejt me politikat e ndjekura ndaj sektorit.

 

Në “MCN Economy”, Sharka tha se bujqësia nuk po trajtohet si sektor prioritar, ndërsa politikat e ndjekura në Shqipëri janë të kundërta me ato që aplikohen në vendet e rajonit dhe në Bashkimin Europian.

 

Nuk është çudi. Ne e kishim parashikuar këtë situatë para se të ndodhte, sepse politikat që ndjek qeveria jonë janë të kundërta me ato që ndjek rajoni dhe Bashkimi Europian. Bujqësia është një sektor i vështirë, me rreziqe të larta dhe me fitimshmëri të kufizuar, ndaj ka nevojë për ndërhyrjen e shtetit përmes subvencioneve dhe politikave mbështetëse.

 

Sipas Sharkës, paradoksi qëndron në faktin se vitet e fundit në sektor janë bërë investime të konsiderueshme, ndërsa prodhimi ka vijuar të bjerë.

 

Nga shifrat rezulton se është investuar shumë kapital në bujqësi, por prodhimi ka rënë. Kjo lidhet edhe me presionin që fermerët kanë ushtruar përmes protestave, por edhe me mungesën e kompensimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore. Mjafton të kujtojmë dëmet që pësuan serat nga përmbytjet. Ky është një trend që nuk do të ndryshojë nëse nuk ndryshon qasja e qeverisë në nivel makro.

 

Ai renditi tre problematika kryesore që, sipas tij, po godasin fermerët shqiptarë: mungesën e subvencioneve, krizat e vazhdueshme të tregut dhe nivelin e lartë të informalitetit.

 

E para është mungesa e subvencioneve. E dyta janë krizat e tregut që godasin çdo sezon bujqësinë, me çmime që shpesh bien nën koston e prodhimit. Në këto kushte, fermerët humbasin motivimin për të mbjellë dhe shumë prej tyre mund të largohen nga sektori. Kjo është arsyeja pse nevojitet orientim nga Ministria e Bujqësisë. Edhe ferma më e organizuar nuk mund të bëjë e vetme studime të plota fizibiliteti për tregun, pasi kjo është përgjegjësi e institucioneve shtetërore.

 

Eksperti theksoi se informaliteti mbetet një tjetër problem madhor që dëmton fermerët dhe deformon tregun.

 

Kemi një ekonomi informale të konsiderueshme, e cila sjell pasoja të shumta. Mungon mbikëqyrja, mungon transparenca e çmimeve, nuk kemi një bursë funksionale për produktet bujqësore dhe në fund goditjen më të madhe e merr fermeri. Këto janë tre problemet kryesore, ndërsa vështirësi të tjera ka plot.

 

Sharka ngriti shqetësimin edhe për raportin mes zhvillimit të turizmit dhe rënies së prodhimit vendas, duke argumentuar se sektori turistik po mbështetet gjithnjë e më shumë te produktet e importit.

 

Në momentin që flasim për 10 milionë turistë dhe njëkohësisht shohim rënie të bujqësisë, kjo nxjerr në pah dështimin në sektor. Turistët që vijnë në Shqipëri konsumojnë gjithnjë e më shumë produkte importi. Ka raste kur produktet e huaja futen në treg me çmime shumë të ulëta për të krijuar varësi ndaj importeve. Kjo është një goditje e madhe për ekonominë tonë. Kur bujqësia nuk funksionon si duhet, pasojat do të ndihen edhe në turizëm.

 

Sipas ekspertit, një pjesë e zgjidhjes lidhet me rikthimin e financimeve dhe skemave mbështetëse për fermerët, veçanërisht në kushtet kur fondet IPARD janë pezulluar prej disa vitesh.

 

Me financime situata mund të përmirësohet. Prej katër vitesh financimet IPARD janë ndërprerë për sektorin e bujqësisë. Ndërkohë, vetë politika e përbashkët bujqësore e Bashkimit Europian ka sot ndër prioritetet kryesore mbështetjen e fermave të vogla dhe të mesme. Kjo është rruga që duhet të ndjekë edhe Shqipëria.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy