
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të bëra nga ish-kreu i selisë blu, Sali Berisha nga foltorja në Kurbin.
Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Basha thotë se Berisha po bëhet gjithmonë e më qesharak me trillimet dhe gënjeshtrat që thotë.
“Njeriu që po vendos veten e tij mbi PD-në dhe mbi demokratët, po bëhet gjithmonë e më qesharak me trillimet dhe gënjeshtrat e tij. Qëndrimet e tij pas 9 shtatorit, tregojnë se ai nuk njeh kufi në çfarë thotë e çfarë bën vetëm për të mbrojtur interesat e tij personale. PD dhe demokratët nuk do të kthehen në mish për top për interesat e Sali Berishës”, shkruan kreu i PD.
Por cilat ishin akuzat që Berisha adresoi ndaj kreut të PD-së? Nga foltorja në Kurbin, Berisha ka hedhur akuza të forta kundër Lulzim bashës, duke thënë se është i përshtatshëm për qeli në Shqipëri dhe në SHBA. Sipas tij, Basha duhet të sqarojë dosjen e lobimit në SHBA me Nik Muzin, por dhe dosjen e ‘Toyota Yaris’.
“Zoti Basha, dil dhe thuaja pak demokratëve për dosjen Nik Muzin, dosje me të cilën je i përshtatshëm për qeli në Shqipëri dhe SHBA. Unë i kam konkrete gjerat. A e dini se çfarë ndodhi me dosjen në Apel, jua tregoj unë. Prokurori dosjen Muzin, ku Lulzim Basha nuk e çoi në Gjykatën e Lartë dhe i skadoi afati. Thuaju shqiptarëve kush ta bëri këtë nder, pse ta bëri këtë nder Edi Rama. Por kjo është njëra dosje, pasi dosja tjetër është më e zezë, dosja “Toyota Yaris”. Unë i them ku e mor vesh, ai më tha se më mori në telefon një kamarier nga një restorant i huaj. Më vonë i thonë gazetarët se shkove dhe bërë fushatë në klubin e atyre që sollën paratë me ‘Toyota Yaris’. Vijnë prokurorët belg dhe duan të marrin në pyetje Lulzim Bashën, por u zhduk. Unë i thash të shkonte dhe të sqaronte. Lulzim, Toyotën o e ndave me Ballën o me krimin, por Edi Rma nesër ikën dhe ti do të përballesh me këto akuza”, tha Berisha.



