Sot sfida Shqipëri-Serbi/ Tirana në masa të rrepta sigurie. Ja rrugët që do të blloohen

Sot sfida Shqipëri-Serbi/ Tirana në masa të rrepta sigurie. Ja rrugët që do të blloohen

Masa të rrepta sigurie do të zbatohen për zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Serbi, e cila do të luhet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit, bëhet e ditur se për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes, janë koordinuar veprimet me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personelin e sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë identifikuar akset rrugore që do të bllokohen dhe mënyrat si do të devijohet qarkullimi. Policia kërkon gjithashtu që qytetarët të shmangin ngritjen e droneve në perimetrin e stadiumit “Arena Kombëtare”, pasi ato do të neutralizohen me pajisje anti-dronë.

Rruga që lidh hotelin ku është akomoduar ekipi i kombëtares së Serbisë (në bulevardin “Gjergj Fishta”) me stadiumin “Arena Kombëtare”, do të ketë kufizime të përkohshme gjatë eskortimit të ekipit. Pjesë të rrugës do të bllokohen për 25 minuta, pasditen e sotme, në orën 16:30 dhe nesër, në orën 18:45, kur ekipi do të udhëtojë drejt stadiumit për stërvitje dhe për ndeshjen.

Po ashtu, Policia ka realizuar eskortimin e skuadrës serbe nga Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas drejt Tiranës, për të siguruar mbarëvajtjen e sfidës.

Masat e sigurisë janë zbatuar nga strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, duke garantuar një itinerar të sigurt dhe pa incidente, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë.

Policia e Shtetit do të vijojë të zbatojë të gjitha masat e planifikuara në Planin e Posaçëm për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Ndërkohë një ditë më parë, policia doli me një njoftim të ri, ku thuhet se nga dje pasdite përkatësisht në orën 16:30 dhe sotnë orën 18:45 do të ketë kufizime deri në 25 minuta në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare” dhe përmes bulevardit “Bajram Curri”.

Ky perimetër do të ketë kufizime pasi ekipi serb do të akomodohet në një hotel në këtë zonë. Policia thekson se çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.

Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.

Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe sportdashësit që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy