
Shqipëria ka marrë një fitore shumë të rëndësishme, teksa ka mposhtur minimalisht Hungarinë në transfertë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit Katar 2022, në Grupin I.
Heroi i ndeshjes ishte padyshim Armando Broja, i cili i futur nga stoli, realizoi golin e vetëm dhe të fitores për Kombëtaren kuqezi. Një triumf i madh ky, pasi Shqipëria vazhdon ëndrrën drejt një kualifikimi historik në Botërorin e Katarit për vitin e ardhshëm.
Pas 7 ndeshjeve të para, kuqezinjtë e Rejës mbajnë vendin e dytë me 15 pikë, 1 më shumë se ndjekësit e Polonisë. Pikërisht me këta të fundit, Shqipëria do të ketë një finale të martën 12 tetorit në “Air Albania”.



