Eksperti i arsimit në Kosovë, Xhavit Rexhaj, për ndryshimin e teksteve arsimore në Kosovë, thotë se tashmë janë rritur kapacitetet dhe gjërat shihen në mënyrë më të pjekur dhe tekstet shkollore mund të rishikohen.
Në një lidhje për edicionin e lajmeve të MCN TV, ai tha se është e qartë se tekstet shkollore nuk e kryejnë misionin në sistemin arsimor të Kosovës dhe nuk po i kontribuojnë zbatimit të kurrikulave.
E para vetë konteksti i teksteve shkollore, është i tejkaluar me kohën e dixhitalizimit.
Duhet trajtuar me shumë seriozitet, në Kosovë ka një keqkuptim kardinal të vetë termit të teksteve shkollore, ato shiten si kurrikula, jo vetëm si mjet për mësimdhënie që duhet të ishin.
Duhet rishikim, se ato nuk janë kurrikula shkollore, tekstet janë interpretim i kurrikulave shkollore nga një autor. Kjo gjë duhet të ndryshohet.
Një njehsim me tekstet në Shqipëri, unë e shoh pak problematik.
Shqipëria dhe Kosova janë një popull, një gjuhë, një histori, por ka tradita relativisht të ndryshme këtu dhe atje, të zhvilluara sidomos në shekullin e fundit.
Filozofia e kurrikulave, mendoj se do mund të njehsoheshin dhe dakordoheshin, por në nivelin e zbatimit, jo vetëm Shqipëri-Kosovë nuk duhet të ketë njehsim, por edhe në nivelin e mësimdhënies duhet të jetë individual.
Njehsim duhet të kishte në nivel filozofik, por në njehsim duhet më shumë bashkëpunim. Jam i zhgënjyer për bashkëpunimin e ulët mes shkollave në Shqipëri dhe Kosovë.
Nuk shoh ndonjë shkollë të Shqipërisë të vij në Kosovë, apo mësimdhënës. Arsimi nuk ndodh në zyra, ndodh në shkolla.
Raporti i ministrisë së Arsimit është ende i brendshëm, diskutimet jam njohur.
Mendoj se kjo shkon në drejtim të cilësisë më të mirë të teksteve shkollore.
Kjo shkon në rritje të llogaridhënies, por duhet të shkojnë së bashku rritja e llogaridhënies dhe përshtatja.
Autorët dhe shtëpitë botuese janë lënë në vetvete të zhvillojnë aftësitë e tyre.
Duhet të ketë më shumë përkrahje.



