Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot, me kërkesën e saj, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.
Ruçi tha se gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të procesit të ingrimit europian të Shqipërisë, pas momentit historik të vendimit për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian.
“Suksesi i reformës zgjedhore dhe i reformës në drejtësi është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese”, u shpreh Ruçi.
Më herët, ambasadorja Yuri Kim pati një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Ambasadorja Kim është takuar me bashkëkryetarët e tryezës, Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin, e po ashtu edhe përfaqësuesin e PD-së, Bylykbashin, ndërsa pritet të takojë sot përfaqësuesin e LSI-së, Petrit Vasilin.



