Ish-koordinatori kombëtar për energjinë në PD Eno Bozdo deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se akti i Bashës s’ishte dorëheqje, duke shtuar se ai e ka në kokë rikthimin.
Bozdo tha se Basha foli sikur të ishte zgjedhur kryetar i PD-së më 1 shtator dhe nuk pati asnjë referencë ndaj humbjeve të tij.
Në tekstin e dorëheqjes kuptohet sikur ky njeri në 1 shtator është bërë kryetar i PD dhe në 9 shtator për një arsye ndërplanetare ka marrë një vendim. Lidershipi i tij dështoi, duam apo nuk duam ne. Një referencë e tillë ndaj këtyre humbjeve nuk ishte fare. Të krijohet përshtypja sikur ishin rrethanat që nuk sollën mos suksesin, por ai është keqkuptuar, por ai do të dilte sërish në shesh triumfator. Kjo nuk është dorëheqje. Lexoni deklaratën e Alibeajt, dhe do kuptoni që është e njëjta deklaratë e ndarë në dy pjesë. Si mundet të kërkojë edhe një vit tjetër sa të mbarojnë edhe zgjedhjet lokale. Nëse nuk bëjmë përgatitjet e duhura, ne rrezikojmë të humbim dhe të humbim thellë. Nuk mund t’ia falim Ramës sërish”.
Bozdo theksoi se fabula e anti-amerikanizmit ka rënë, duke shtuar se logjika e momentit kërkon që të shkohet në votë.
Fabula e anti-amerikanizmit ka rënë. Pro apo kundër, amerikane partinë e bën tjetër, gjë, fryma, filozofia, statuti, jo fakti nëse një person është non grata. Fabula e anti-amerikanizmit nuk ecën më. PD mund të jetë një organizatë ku mendimet mund të jenë të ndryshme, por besoj që duhet të shkojë drejt një mekanizmi votimi. Të gjithë ata që me bonsens i thonë Berishës duhet hapur rruga për të rinjtë, nuk i marr për keq, por logjika e momentit kërkon që të shkohet në votë. Në këtë çast, të këmbngulësh që të iki njëri apo tjetri është kurth. Se kush ikën e kush vjen s’e vendosim ne, e vendosin ata që janë masa e madhe e demokratëve”.



