
Koreja e Jugut ka zbuluar menynë që do të shërbehet në darkë pas takimit të parë midis udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe Presidentit të Koresë së Jugut, Moon-Jae-in të premten.
Sipas mediave të huaja, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut kanë përfunduar përgatitjet për takimin e liderëve të tyre në Shtëpinë e Paqes në anën jugore të fshatit Panmunjom deri në detajin më të vogël, duke përfshirë kohën e shtrëngimit të tyre të parë të duarve.
Gjithashtu, siç thuhet më tej, edhe darka midis dy udhëheqësve është përgatitur me vëmendje për të pasqyruar domethënien historike të takimit.
Samiti i së premtes mes dy liderëve është i pari midis dy koreve që nga viti 2007, dhe detajet e menysë janë zgjedhur me kujdes për samitin ndër-korean, i cili u pagëzua me sloganin “Paqe, një fillim i ri”.

Po sipas BBC, presidentit jugor do t’i shërbehet peshk, për t’i kujtuar fëmijërinë e tij, pasi ishte rritur në qytetin bregdetar Busan, atij verior do t’i shërbehet një lloj specialiteti zviceran të njohur si “Rosti” për t’i kujtuar “kohën e shkollimit të tij në Zvicër”.
Pjatat tjera, ndërkaq janë të lidhura me njerëz dhe vende që kanë kontribuar në procesin e paqes ndër-koreane.
Samiti në fjalë pritet që pikë kryesore të diskutimeve të ketë negociatat për programin bërthamor të Koresë së Veriut.
“Kjo meny është përzgjedhur për të nderuar ata që janë përpjekur për të arritur paqen dhe bashkimin në Gadishullin Korean gjatë viteve të fundit”, ka thënë zëdhënësi presidencial i Koresë së Jugut, Kim Eui-kyeom në një konferencë shtypi.

Munbaeju, një pije e prodhuar si fillim në veri, por tani bëhet dhe në Jug, gjithashtu do të shërbehet në këtë takim të rëndësihëm.
Samiti është rezultat i përpjekjeve diplomatike për të negociuar programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut.
Seul është i njohur për të shërbyer ushqime të veçanta udhëheqësve agjatë vizitave në Koren e Jugut.
Kur Presidenti i SHBA, Donald Trump e vizitoi vendin në vitin 2017, ushqimi i tij ishte një peshk i kapur në ujërat pranë ishujve që janë të diskutueshme midis Koresë së Jugut dhe Japonisë.



