
Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë mbështet studentët. Me anë të një deklarate, në emër të pedagogëve, Dekanati i Histori-Filologjisë shpreh mbështetjen për studentët dhe dënon ndërhyrjen e policisë në fakultete.
Gjithashtu, Dekanati sugjeron rishikimin e Ligjit të Arsimit të Lartë si dhe kërkon ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorët politikë dhe qeveritare.
“Pas njohjes me diskutimet e zhvilluara në të gjitha departamentet, Dekanati i FHF-së deklaron se pedagogët:
Rikonfirmojnë mbështetjen e protestës së studentëve dhe të kërkesave të tyre të ligjshme.
Dënojnë ndërhyrjen e organeve të rendit në mjediset universitare dhe dhunimin e studentëve prej tyre. Janë kundër çdo lloj ndërhyrjeje dhe presioni që synon deformimin e vullnetit të lirë të studentëve.
Kërkojnë ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorët politikë dhe qeveritare, që synon intimidimin e mendimit të lire
Propozojnë ngritjen e një strukture me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve për trajtimin dhe adresimin e problematikave që po kalojnë IAL-të publike në RSH;
Rikonfirmojnë kërkesën për rishikimin thelbësor të Ligjit të Arsimit të Lartë në RSh;
I sigurojnë studentët për gatishmërinë e tyre në angazhimin për realizimin e objektivave të vitit akademik në vijim”.



