Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak dhe shefi i OKB-së Antonio Guterres, gjatë takimit në margjinat e një samiti të sigurisë së AI në Milton Keynes në Mbretërinë e Bashkuar, kanë rënë dakord për rritjen "urgjente" të ndihmës humanitare për Gazën.
Sipas një deklarate të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Sunak dhe Guterres "ranë dakord gjithashtu për nevojën për të riforcuar përpjekjet ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit dhe përparimin e punës drejt një zgjidhjeje me dy shtete" në konfliktin Palestinë-Izrael.
Ndërkaq Hamasi ka reaguar pas komenteve të Uashingtonit lidhur me të ardhmen e Gazës.
Komenti i SHBA-së mbi bisedimet rreth asaj se kush do ta sundonte Gazën pas luftës janë "të pasjellshme dhe të papranueshme pasi populli i lirë palestinez nuk mund të pranojë asnjë formë të kujdestarisë", tha Hamasi në një deklaratë.
Të martën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA dhe vendet e tjera po shikojnë "një shumëllojshmëri ndryshimesh të mundshme" për të ardhmen e Rripit të Gazës nëse hiqet Hamasi, i cili qeveris Rripin e Gazës.
“Ne shpallim qartë se çdo përpjekje flagrante e SHBA-së për të ndërhyrë dhe imponuar një realitet të ri në Rripin e Gazës do të refuzohet plotësisht dhe populli palestinez do të përballet dhe do ta zmbrapsë atë me të gjitha mjetet e mundshme, duke përfshirë përdorimin e forcës”, thuhet në deklaratë.
“Vetëm palestinezët kanë të drejtë të rregullojnë shtëpinë e tyre dhe askush nuk ka të drejtë të përcaktojë fatin, të ardhmen dhe interesat e tyre. Populli ynë do të vazhdojë luftën e tij derisa të rivendosë të drejtat e tij të patjetërsueshme dhe të krijojë shtetin e tij të pavarur palestinez me Jerusalemin si kryeqytet”.



