
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e vijoi vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor me një ndalesë në Serbi.
Gjatë vizitës në kantierin e ndërtimit të interkonjektorit të gazit Serbi-Bullgari, së bashku me presidentin serb, Aleksander Vuçiç, Von der Leyen njoftoi se mbështetja europiane për Serbinë do të jetë 160 milionë euro.
“Siç tha presidentja e KE-së do të marrim mbështetje direkte buxhetore prej 160 milionë euro nga BE-ja për shkak të çmimit të produkteve energjetike. Është një ndihmë e madhe dhe do të lehtësojë problemet me të cilat po ballafaqohemi. Është një ndihmë e madhe për ne, falë taksapaguesve të BE-së”, citohet Vuçiç nga B92.
Vuçiç tha më tej se Serbia duhet të ndërtojë edhe një lidhje gazi me Maqedoninë e Veriut, e cila do të jetë e rëndësishme për diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz.
Puna për ndërtimin e interkonjektorit të gazit Serbi-Bullgari duhet të përfundojë deri në shtator të vitit 2023.
"Falë tij do të jemi në gjendje të lidhemi me Shqipërinë dhe Greqinë me terminalin LNG për gazin natyror të lëngshëm, si dhe me burime të tjera. Atëherë do të jemi në një pozicion shumë më të mirë kur bëhet fjalë për diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe veçanërisht lidhjen me Tubacionet e gazit TAP dhe TANAP dhe terminalet e tjera LNG”, tha Vuçiç.
Punimet për interkonjeksionin e gazit janë financuar në masën 49.5 milionë nga BE.



