Shtatë marinarë kanë gjetur vdekjen pasi një anije cisternë me flamur të Koresë së Jugut u përmbys në brigjet perëndimore të Japonisë.
Ekipet e shpëtimit gjetën dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit, njëri prej tyre është i vetëdijshëm, ndërsa gjendja e tjetrit nuk dihet, tha roja bregdetare e Japonisë për BBC.
Keoyoung Sun u përmbys në prefekturën Yamaguchi pasi ekuipazhi dërgoi në radio thirrjen për ndihmë rreth orës 07:00 të së mërkurës.
Aktualisht vazhdojnë kërkimet për dy marinarë të tjerë që ndodheshin në bord.
Anija thuhet se ishte në spirancë për shkak të motit të stuhishëm. Momentalisht nuk dihet asnjë detaj lidhur me ngarkesën e anijes.
Anija përshkruhet si një “cisternë nafte/kimike” në faqet e internetit të transportit detar.
Operacioni i shpëtimit është duke u zhvilluar pranë qytetit Shimonoseki në jugperëndim të Japonisë.
Mediat japoneze raportojnë se ekuipazhi përbëhet nga dy koreanë, tetë indonezianë dhe një shtetas kinez.
Në zonën ku u përmbys anija, erërat u matën me shpejtësi deri në 54 kilometër në orë.



