
Në qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga sot është bërë pjesë një tjetër parti shqiptare. Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, nënshkruan marrëveshjen zyrtare sot në mesditë. Në një analizë në studion e lajmeve të MCN TV, përmes Skype-it, Arben Ratkoceri, botues i gazetës “Koha”, tha se kjo është hera e parë që gati gjysma e qeverisë në Maqedoninë e Veriut kontrollohet nga shqiptarë.
Dihej që kjo parti do të bëhej pjesë e qeverisë, për shkak të numrave të deputetëve. Tani shumica ka një numër solid. Alternativa meqë ishte faktori kyç në formimin e kësaj qeverie ka arritur të marrë një pjesë të madhe. Ka marrë disa pozicione shumë interesante si p.sh. Ministria e Shëndetësisë dhe kompania e energjisë do të drejtohet nga kjo parti. Gati gjysma e qeverisë kontrollohet nga shqiptarë. Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë deri më tani nuk kanë pasur kaq pushtet.
Lidhur me pasuesin e Zaev, Ratkoceri tha se më i favorizuari është zv.ministri i Financave.
LSDM më 14 dhjetor ka kongresin. Janë 4 kandidatë për kryetar. Ai që zgjidhet do të jetë edhe kryeministër. Më i favorizuari është zv.ministri aktual i Financave, Kovaçevski. Është një profil i ri politikani, një njeri i shkolluar mirë në universitetet e huaja. Por në politikë nuk e dimë sa i zhdërvjelltë do të jetë në mesin e të gjithë këtyre zhvillimeve.



