“Po kalojmë drejt turizmit cilësor”, Zani-Rabeta: Më pak flukse, por turistë më të pasur

“Po kalojmë drejt turizmit cilësor”, Zani-Rabeta: Më pak flukse, por turistë më të pasur

Shqipëria duket se po hyn në një fazë të re të zhvillimit turistik, ku fokusi nuk është më te numri i vizitorëve, por te cilësia dhe niveli i shpenzimeve të tyre. 

 

Të dhënat e fundit tregojnë se, megjithëse flukset janë frenuar, të ardhurat nga turizmi kanë arritur në rreth 5.7 miliardë euro, duke reflektuar një ndryshim të qartë të profilit të turistëve.

 

Sipas sipërmarrëses dhe ekspertes së turizmit, Fjorida Zani, Shqipëria po largohet gradualisht nga modeli i turizmit masiv dhe po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të organizuar dhe me kërkesa më të larta.

 

Po kalojmë te një turizëm me më pak flukse, por me shpenzime më të larta. Në fillim, gjatë bumit, kishte më shumë turistë që shpenzonin pak. Ndërsa sot, ata që vijnë të organizuar kërkojnë kushte më të mira, zgjedhin hotele me katër yje dhe, në mënyrë të pashmangshme, shpenzojnë më shumë.

 

Ajo thekson se lehtësimi i aksesit, falë linjave ajrore nga e gjithë Europa dhe më gjerë, ka ndikuar në tërheqjen e një kategorie më cilësore turistësh. Sipas saj, Shqipëria tashmë po vizitohet nga turistë që kërkojnë eksperienca autentike: kuzhinë tradicionale, destinacione kulturore dhe trashëgimi historike.

 

Një pjesë e mirë e turistëve kuriozë e kanë parë tashmë Shqipërinë. Sot vijnë turistë që duan të përjetojnë Shqipërinë e vjetër, të hanë mirë dhe të zbulojnë destinacione unike. Kjo i bën ata më cilësorë dhe me shpenzime më të larta.

 

Ndryshimi vihet re edhe në përbërjen gjeografike të vizitorëve. Në destinacione si Saranda, përveç turistëve tradicionalë nga rajoni, siç janë serbët po shtohen gjithnjë e më shumë vizitorë nga Europa Perëndimore, kryesisht francezët të cilët kanë një nivel më të lartë shpenzimi.

 

Nga ana tjetër, gazetari i ekonomisë Lorenc Rabeta e interpreton rritjen e të ardhurave si rezultat të dy faktorëve kryesorë: ardhjes së turistëve nga vende më të pasura dhe rritjes së çmimeve në tregun vendas.

 

Shifra është voluminoze dhe tregon ndryshim të profilit të turistëve. Ose kemi më shumë turistë nga vende të pasura, ose kemi rritje çmimesh në shërbime si akomodimi, çadrat apo restorantet. Por në çdo rast, duket qartë se kemi një turizëm më cilësor.

 

Ai thekson se ky transformim është pozitiv për ekonominë dhe mjedisin, pasi turizmi masiv shpesh shoqërohet me kosto të larta dhe fitime relativisht të ulëta.

 

Po shohim një zhvendosje drejt turistëve më të pasur dhe më cilësorë. Kjo është një zhvillim i mirë për sektorin, sepse sjell më shumë të ardhura dhe më pak ndikim negativ në mjedis.

 

Sipas Rabetas, edhe struktura e tregut po ndryshon: turistët nga rajoni, që dikur dominonin në numër por shpenzonin më pak, po zëvendësohen gradualisht nga vizitorë nga vende si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

 

Në të njëjtën kohë, rritja e çmimeve të akomodimit dhe shërbimeve në qytete si Tirana ka kontribuar në rritjen e të ardhurave totale nga turizmi.

 

Në përfundim, ekspertët bien dakord se Shqipëria po kalon nga një model turizmi i bazuar te sasia në një model të orientuar drejt cilësisë, një zhvillim që pritet të ndikojë pozitivisht në të ardhurat dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy