Parqet fotovoltaike/ Mena: S’mund të prodhojmë pa standarde dhe lidhjet në rrjet. Çaushi: Lejet duhet të orientohen drejt tokave jo pjellore (VIDEO)

Parqet fotovoltaike/ Mena: S’mund të prodhojmë pa standarde dhe lidhjet në rrjet. Çaushi: Lejet duhet të orientohen drejt tokave jo pjellore (VIDEO)

Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë nga fotovoltaikët gjatë vitit të kaluar, duke e kthyer këtë sektor në një nga fushat me zhvillimin më të shpejtë në tregun energjetik.

 

Megjithatë, pyetja që shtrohet është sa po përfitojnë bizneset dhe familjet nga kjo teknologji dhe sa i përgatitur është sistemi për të përballuar zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.

 

Për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e energjisë diellore, në emisionin “MCN Economy” ishin të ftuar inxhinierja elektrike Dëshira Mena dhe inxhinieri i ndërtimit Tanush Çaushi.

 

Sipas Dëshira Menës, panorama e prodhimit të energjisë në vend ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me disa vite më parë, kur pesha kryesore mbahej nga burimet hidrike.

 

Deri para disa vitesh energjia prodhohej kryesisht nga burimet hidrike, ndërsa sot raporti ka ndryshuar dhe kontingjenti i prodhuesve privatë po dominon tregun e energjisë. Kjo është pozitive, sepse alternativat krijojnë fleksibilitet dhe më shumë mundësi. Energjia elektrike është bërë produkti bazë i jetës sonë dhe një nga produktet më të kërkuara në treg. Nëse dikur flisnim për vezën apo qumështin si produkte të rëndësishme, sot duhet të përfshijmë edhe energjinë elektrike, pasi pothuajse çdo aktivitet varet prej saj.

 

Ajo theksoi se kushtet klimatike favorizuese dhe investimet private kanë ndikuar në zgjerimin e sektorit fotovoltaik, por paralajmëroi se sfida më e madhe mbetet infrastruktura e rrjetit.

 

Mund të prodhojmë shumë energji dhe madje të kemi kapacitete edhe për më tepër, por problemi është se nuk kemi ende një rrjet të gatshëm për të integruar të gjithë këtë energji. Sistemi duhet të jetë i përgatitur që prodhimi të integrohet dhe të përdoret me eficiencë të lartë. Prodhimi i energjisë elektrike nuk është një proces i shkëputur; çdo sasi energjie që prodhohet hidhet në rrjet dhe bëhet pjesë e sistemit të përbashkët që përdorim të gjithë. Pikërisht këtu kemi devijimet tona, sepse fokusi është vendosur te prodhimi, ndërsa më pak te aftësia e rrjetit për ta përballuar atë.

 

Mena ngriti shqetësimin se në shumë projekte të parqeve fotovoltaike mungojnë analizat e detajuara të flukseve energjetike, të domosdoshme për garantimin e stabilitetit të sistemit.

 

Ne mund të krijojmë burime të pafundme energjie, por nëse rrjeti nuk ka kapacitetin e nevojshëm për t’i përballuar ato, atëherë rrezikojmë të krijojmë më shumë probleme sesa zgjidhje. Në shumë projekte mungon analiza e fluksit energjetik. Nuk duhet të fokusohemi vetëm te prodhimi, por edhe te standardet që ruajnë integritetin e rrjetit. Investimet në prodhim duhet të ecin paralelisht me investimet në infrastrukturën energjetike. Në të kundërt, kur prodhimi tejkalon kapacitetin e sistemit, ai stakohet dhe krijon shqetësime për rrjetin energjetik.

 

Nga ana tjetër, inxhinieri i ndërtimit Tanush Çaushi e konsideroi zhvillimin e fotovoltaikëve si një mundësi të rëndësishme për sektorin e ndërtimit dhe investimet afatgjata.

 

Fotovoltaikët rrisin portofolin e ndërtimit dhe mundësitë për të investuar në projekte të reja. Duhet thënë se jemi pak të vonuar në këtë drejtim, pasi mund të kishim ecur më shpejt duke pasur parasysh kushtet shumë të favorshme që ofron vendi ynë, sidomos numrin e lartë të ditëve me diell. Kjo është një mundësi e mirë për sektorin e ndërtimit, por edhe për zhvillimin ekonomik në tërësi.

 

Ai shtoi se përvoja e tij me projekte të ngjashme daton edhe para vitit 2020, por klima e investimeve në atë periudhë nuk ishte aq favorizuese sa sot.

 

Kam punuar për të afruar investitorë edhe para vitit 2020, por atëherë kushtet ishin krejt të ndryshme dhe nuk ofronin mundësi të mëdha zhvillimi. Sot situata ka ndryshuar ndjeshëm dhe mund të themi se dyert janë hapur për investimet në këtë sektor.

 

Duke folur për ndikimin në mjedis, Çaushi nënvizoi se zhvillimi i parqeve fotovoltaike duhet të orientohet drejt tokave me produktivitet të ulët bujqësor.

 

Është shumë e rëndësishme që mjedisi të ruhet. Tokat jo shumë pjellore mund të konvertohen për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, duke i kombinuar ato edhe me gjelbërimin dhe elementë të tjerë natyrorë. Gjithmonë është rekomanduar që këto investime të realizohen në sipërfaqe që nuk janë të begata për bujqësinë. Një tjetër avantazh është se investimet në parqe fotovoltaike zakonisht mbulohen brenda pesë viteve, ndërsa tendenca duhet të jetë që lejet të jepen kryesisht për toka jo pjellore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy