Besimtarët katolikë po festojnë Pashkët më të pazakonta. Për shkak të izolimit në funksion të frenimit të përhapjes së pandemisë, meshat janë mbajtur pa praninë e besimtarëve, të cilët kanë pasur mundësi t’i ndjekin ato vetëm online.
Mesha janë mbajtur në kishat e Tiranës, Shkodrës, Lezhës dhe qytete të tjera, në prani vetëm të njerëzve të klerit.
Në katedralen e Shën Palit në Tiranë, mesha e së dielës së Pashtëve u drejtua nga Imzot George Frendo.
Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve, ai tha se sakrificat e këtyre ditëve do të shpërblehen, ndërsa kujtoi si moment të ngjashëm vitin 1997.
“Ndërsa zakonisht ju takoj në këtë kishë Katedrale, sonte nëpërmjet televizorit. Çdo vit kremtojmë me shumë solemnitet festën e Pashkëve, dhe sjelle shumë gëzim e shprese. Por çdo vite festohet në situatë të ndryshme. Më kujtohet kur kam kremtuar Pashkët për herë të parë në Shqipëri, ishte marsi i 1997. Gjatë kremtimit kam parë, në atë kohë, në ‘97, disa besimtarë duke qarë, por unë kujtova fjalët e Jezusit, që ai tha pak orë para se ushtarët ta kapnin për ta çuar drejt kryqit u tha apostujve: “Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim”, tha Imzot George Frendo.



