Këngëtari dhe kompozitori Indrit Mesiti, rrëfen rrugëtimin e tij prej 20 vitesh karrierë ndërsa prej 16 vitesh jeton në Francë.
Në emisionin “Zgjohu me MCN” ai foli për fillimet e veta, tekstet me përmbajtje +18, largimin në Francë dhe planet që ka për muzikën në Shqipëri.
Një nga gjërat që më mbante në Shqipëri ishte grupi Qelbanix, kishim shumë aktivitete. Unë pata fatin të isha në një periudhë me Top Fest me një shpërthim muzikor. Kjo më dha mundësinë mua dhe Qelbanix të bënim stile më pak konvencionale. Kisha dhe një lidhje në distancë me ish-in tim në Paris. Ishte bashkimi i shumë fakteve që më çoi në Paris.
Pata fatin të bëja një koncert në Paris me këngët e mia, me kitarë në mënyrë akustike. Ne si grup ishim pikasur nga disa shoqata të metalit dhe rockut progresiv në Ballkan dhe ishim spikatur. E dashura ime atëherë luante në një grup në violinë dhe kjo e lehtësoi edhe më shumë. Në Shqipëri për muzikën po bëheshin hapa pas, kur vendosa të ikja.
Këto dy vitet e fundit kam ardhur shumë shpesh në Shqipëri, sepse kam bërë një studio muzike dhe synoj të kem sa më shumë bashkëpunime dhe kam dashur të shoh ku është në këtë moment muzika shqiptare. Kam arritur të kuptoj se muzika është komercializuar shumë. Shoh më pak grupe. Shoh më pak të rinj me kitarë, me instrumente.
Kam përshtypjen se lloji i muzikës që mua më pëlqen është pothuajse zhdukur në Shqipëri. Kjo më bën të ndjej si përgjegjësi, që të ringjall atë muzikë.
Qëllimi është të bëj një lidhje mes dy studiove, mes asaj në Francë dhe Shqipëri, të jetë një lloj qendre ndërthurjesh kulturore.
Sa i takon grupit Qelbanix që nga emri ka diçka që nuk shkon, plus disa tituj këngësh i kemi pasur me grupin. Kemi qenë të lirë, çfarëdolloj ideje që të na vinte në mendje e bënim, nëse ishte serioze apo humoristike ndaj janë cilësuar +18.
Çfarëdolloj gjëje që na ngacmonte, ishte pjesë. Ashtu si për mendimin tim është muzika. Ne e mendonim si grup, na gëzonte dhe e bënim, nuk e mendonim a krijonte problem apo jo.



