
Ngjarja e Kavajës ku një vajzë minorene ishte abuzuar seksualisht nga moshatarët e saj përmes shantazhit të një video, ka sjell edhe një tjetër përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për fshehjen e ngjarjes, ministri i Brendshëm deklaroi një ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, tha se policia ka reaguar që në momentin e parë, por kemi refuzuar ta bëjmë publike pasi ngjarja nuk kishte nevoj për shumë publcitet.
Por ndryshe ka ndodhur sot kur në ERTV e kryeministrit është publikuar video e babait, nënës dhe gjyshit të 13-vjeçares.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali u shfaq në krahë të prindërve të vajzës gjatë vizitës në banesën e tyre duke i treguar mbështetje për ngjarjen e rëndë ndërsa babai i vajzës ka një mesazh për mediat.
Deputetja dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka vizituar familjen gjatë ditës së sotme, ndërsa babai i vajzës ka një mesazh për mediat.
ERTV-ja thotë se "ata ndjehen të pambrojtur nga agresioni publik i politikës e medias dhe luten për respektimin e privatësisë së vajzës".
Babai: Kam një vajzë inteligjente dhe me kurajë që nuk mund ta përshkruaj unë si prind.
Spiropali: Ky është një mesazh për të gjithë. Këtu në këtë shpi dhe me fisnikërinë që tregoni jeni shembuj për të gjithë. Shoqëritë e qytetëruara dallohen nga mënyra se si përballen me sfidat.
Babai: I bëj thirrje mediave që nëse jemi plagosur një herë, mos më plagosni dy herë. Mos ju raftë ky rast kurrë asnjërit. Më lejoni ta përballoj me forcat e mia dhe me njerëzit.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i opozitës. Partia Demokratike përmes deputetes, Albana Vokshi, njëherazi kryetare e Komisionit të Arsimit i kërkon kryeministrit Edi Rama të shkarkojë urgjent ministren Elisa Spiropali dhe i jep ultimatum që të heqë videon brenda një ore, pasi në të kundërt AKEP duhet të bllokojë rrjetin e tij social "Facebook".
"Pasi qeveria e tyre i ka braktisur, pasi policia e tyre dështoi, pasi e fshehën ngjarjen nga tetori në janar, pai thanë që ndodh edhe nëpër filma, në përpjekje për të mbuluar skandalin me shtirje, treguan sesa vlejnë fëmijët e shqiptarëve dhe sërisht nuk ndalen duke dëmtuar interesat e fëmijes së dhunuar dhe familjes. Elisa Spiropali sot ka shkelur jo vetëm kodin moral të shqiptarit, por edhe kodin penal, që nuk lejon zbulimin dhe publikimin e identitetit të fëmijës së mitur në asnjë rrethanë. Premtimet për bursa, duke menduar që çdo gjë mund ta blejnë, është një sjellje me mendësi kriminale, si kriminelët që kërkojnë të blejnë heshtjen e viktimave të tyre. Premtimi për bursë studimi është si blerja e heshtjes së viktimave. Si nënë, si grua, por edhe si kryetare e Komisionit të Arsimit, kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të Elisa Spiropalit. Edi Ramës i kërkoj ta heqë menjeherë videon nga faqja e tij në "Facebook". Nëse ai nuk e bën këtë brenda 1 ore, AKEP duhet të bllokojë "Facebook"-un e Edi Ramës. Shpresoj shumë që një nga këto kërkesa të plotesohen në respekt të një vajze të traumatizuar dhe të një shoqërie që e ka përjetuar me dramë këtë fatkeqësi. Nëse nuk reagojnë, nënat nuk do t’ia falin këtë Edi Ramës!", deklaroi Vokshi.
Ndërkohë deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha e quajti te papranueshme dhe te denueshme publikimin e videos. Sipas deputetes së LSI, publikimi i imazhit të familjarëve të vajzës së mitur në Kavajë, me zë dhe figurë është shkelja më flagrante e ligjit.
“Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”. Neni 17, Liria e jetës private, pika 3, e shpreh qartë se ‘privatësia e fëmijës respektohet në të gjitha fazat e procedurave gjyqësore apo administrative, duke përfshirë edhe publikimin e tyre në media’. Unë mund të kuptoj çdo gjë në këtë shtet, por që kryeministri të shkelë të drejtën e një fëmije të dhunuar për privatësi, është e papranueshmë dhe e dënueshme! Do ta ftoja të gjithë shoqërinë, institucionet dhe mediat të reagojnë për këtë veprim të paprecedentë!", deklaroi Gjosha.
Por këtyre deklaratave të opozitës i është përgjigjur vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social "Twitter". Kreu i qeverisë i quan lehje deklaratat nga opozita pas reagimit të tij të vetëm për ngjarjen në Kavajë ku nxori me zë e figurë prindërit e së miturës.
"Po tani çfarë keni që lehni apo ju'a kemi fajin ne pse njerëzit besojnë tek ne e jo tek ju,hiena të politikës e të medias? Po mos të ishin vrasësit, përdhunuesit, grabitësit,krimet e fatkeqësitê, ju s'do ekzistonit,se s'keni hiç tjetër për t'u dhënë njerëzve veç helmit e vrerit", shkruan Rama.




